Rasti 'Toka', gjykata i dënoi me nga 500 euro dy avokatë për mospjesëmarrje në seancë gjyqësore

Gjykimi i njohur si rasti “Toka” ishte paraparë që të mbahet sot më 22.05.2024 në Gjykatën e Prishtinës, në të cilin pritej që tre të akuzuarit e fundit të japin mbrojtjen e tyre lidhur me këtë rast.

Së bashku me Azem Sylën janë të akuzuar edhe 18 persona. Sipas organit të akuzës, të akuzuarit kanë lidhje në një formë ose tjetrën në rastin “Toka”.

Mungesa e të akuzuarit Ndue Palushi si dhe e avokatit, Haxhi Millaku që mbron të akuzuarin Ilaz Syla dhe mungesa e Adelina Hoxhës që mbron të akuzuarin Shaban Syla, pamundësuan mbajtjen e seancës gjyqësore.

Gjyqtari mori vendim që avokatët që kanë munguar sot, t’i gjobisë me nga 500 euro secilin.

Sipas gjyqtarit të rastit, Arben Hoti, Hoxha nuk ka prezantuar në gjykatore dhe nuk e ka njoftuar gjykatën se më nuk do ta përfaqësojë të akuzuarin që ka qenë duke e mbrojtur deri tani, Shaban Sylën, kurse Millaku nuk e ka arsyetuar mungesën e tij.

“Avokatja Adelina Hoxha, e njëjta ka qenë e obliguar që të njoftojë gjykatën për rastin, këtë nuk e ka bërë, gjykata ka kontaktuar në telefon sot, është pyetur, për arsyen e tërheqjes nëse është mospagesa për shërbimet e avokatit atëherë do të duhej që të kërkohet nga Oda e Avokatëve që të paguhet me Fondet publike, mirëpo e njëjta ka deklaruar që nuk do as në këtë formë ta përfaqësojë të akuzuarin. Atëherë bazuar në këtë nen dhe nenin 304 mosparaqitja e mbrojtësit, gjykata i shqipton dënim me gjobë prej 500 eurove.  Po ashtu mungon avokati, Haxhi Millaku mungesën nuk e ka arsyetuar…të njëjtit gjykata në bazë të nenit 304 i shqipton dënim me gjobë në shumën prej 500 euro”- tha gjyqtari, Arben Hoti

Mungesën e të akuzuarit Ndue Palushi, Hoti tha se do ta kërkojë, në të kundërtën do të sillet me shoqërim të policisë në seancën e cila është paraparë të mbahet nesër më 23.05.2024.

Në këto rrethana seanca e sotme (22.05.2024) nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të vazhduar tutje.

Në këtë rast përveç Sylës të akuzuar janë edhe Artan Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Ilaz Syla, Vidosav Novakoviq.

Rasti ishte duke u gjykuar nga gjyqtarë të EULEX-it, por më pas lënda është bartur në duart e drejtësisë vendore.

Lënda është në duart e gjyqtarëve Arben Hoti (kryetar i trupit gjykues), dhe Lutfi Shala e Mentor Bajraktari (anëtarë). Prokuror i rastit është Naim Abazi.

Tetë vite pas, sistemi i drejtësisë nuk ka arritur ende që t’i vë pikën këtij rasti maratonik pasi që seancat në vazhdimësi janë shtyrë ose kanë dështuar të mbahen.

Së bashku me Azem Sylën janë të akuzuar edhe 18 persona. Sipas organit të akuzës, të akuzuarit kanë lidhje në një formë ose tjetrën në rastin “Toka”.

Rasti numëron dhjetëra seanca të shtyra ose të dështuara që nga nisja e gjykimit për herë të parë.

Azem Syla dhe të tjerët akuzohen nga Prokuroria se si grup i organizuar kriminal kishin bashkëpunuar mes vete me qëllim që përmes falsifikimit të vendimeve dhe dokumenteve zyrtare t’i privonin Kosovës disa prona shoqërore.

Azem Syla në prill të këtij viti mbush 73-vjeç. Ai ishte arrestuar më 2016-tën, kur ishte 65-vjeçar.

Në këtë rast përveç Sylës të akuzuar janë edhe Artan Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Ilaz Syla, Vidosav Novakoviq.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë është ngritur nga i njëjti prokuror, i cili akuzon 17 persona për pastrim të parave. Mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Sylën dhe Vidosav Novakoviqin, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit e tjerë meqë është i njëjti rast.

Sipas Prokurorisë, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me rastin “Toka” ju mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.