Çka ndodhi në seancën ku Xhafer Bardhi u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë

Në Gjykatën e Prishtinës sot u bë shpallja e aktgjykimit kundër të akuzuarve Xhafer dhe Amir Bardhi, babë e birë, mbi të cilët rëndojnë akuzat për vrasjen e 15 vjeçarit dhe babait të tij në Gradicë të Drenasit.

Xhafer Bardhi u gjet fajtor për vrajsen e vitit 2021 dhe për këtë u dënua me burgim të përjetshëm.

Xhafer Bardhi akuzohet se për motive të mosmarrëveshjes paraprake pronësore, në bashkëkryerje me Amirin, me armë zjarri kishte privuar nga jeta babë e birë.

Në këtë moment në sallën e gjykatës mbizotëruan duartrokitjet nga ana e familjes së viktimave.

“Drejtësi!” ishte fjala e cila jehoi nga publiku në sallë në momentin e shpalljes.

Djali i tij, i bashkakuzuari Amir Bardhi, u lirua nga akuzat në mungesë të provave.

Amirit gjithashtu iu ndërpre masa e paraburgimit dhe gjykata urdhëroi që i njëjti të lirohet menjëherë.

Ky vendim nuk u prit mirë nga familja e viktimave të cilët ashpër reaguan në momentin e shpalljes.

“Kom me myt, kom me myt veç prit” ishte çfarë dëgjohej nga një e afërme e viktimave teksa publiku largohej nga salla pas përfundimit të shpalljes.

Ndërkaq, reagimet nuk mbaruan e britmat vazhduan të dëgjohen edhe në korridoret e gjykatës.

Reagimet nuk munguan as në seancat e kaluara të gjykimi.

Me rastin e dhënies së fjalës përfundimtare, njëri prej familjarëve të viktimave ishte urdhëruar të largohej nga salla e gjykimit për shkak të prishjes së rendit.

Ky aktgjykim është marrë nga trupi gjykues i cili kryesohet nga Agim Kuçi dhe me anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Medije Bytyqi.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore më 5 prill 2021, rreth orës 20:00, në fshatin Gradicë të Drenasit, të pandehurit Xhafer dhe Amir Bardhi kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë privuar nga jeta B. M. dhe djalin e tij 15-vjeçar. Si dhe kishin vënë në rrezik jetën e të tjerëve V. M., V. M., dhe D. M.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Amir Bardhi kishte qenë duke ecur në pyll me djalin e axhës, ku udhës kishin takuar të dëmtuarin V. M. dhe të njëjtin i akuzuari e kishte pyetur se “Çka jeni duke bërë”, ndërsa i dëmtuari V. M., i kishte thënë se “jemi duke prerë dru në mal”.

Tutje thuhet se Amir Bardhi dhe dëshmitari janë larguar nga aty, Amir Bardhi ka pritur në rrugën ku të dërgon deri tek vendi ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa dëshmitari është larguar drejt shtëpisë së tij.

Tutje në aktakuzë thuhet që Amir Bardhi e ka thirrur në telefon Xhaferi Bardhin dhe ky i fundit e ka marrë armën dhe me veturë ka shkuar deri tek vendi i ngjarjes. Me të arritur tek vendi, ka shtënë me armë drejt të dëmtuarve dhe ka goditur 15-vjeçarin, në atë moment në ndihmë i ka dalë i ati dhe të dëmtuarit e tjerë. Pastaj i akuzuari ka gjuajtur përsëri me armë dhe ka goditur në kokë B. M., i njëjti ka ndërruar jetë dhjetë ditë më vonë.

Me këto veprime të akuzuarit sipas Aktakuzës kanë kryer veprat penale bashkëkryerje në vrasje të rëndë, ndërsa Xhafer Bardhi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Vrasja e dyfishtë në Drenas, burgim i përjetshëm për të akuzuarin që vrau babë e bir