Vrasja e dyfishtë në Drenas, burgim i përjetshëm për të akuzuarin që vrau babë e bir

Xhafer Bardhi u është gjetur fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë të babait dhe birit të tij 15 vjeçar në një pyll në Gradicë – Drenas. Ndërsa djali i tij Amir Bardhi u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga akuzat në mungesë të provave.

Vendim ky i marrë nga trupi gjykues me kryetarin Agim Kuçi dhe anëtarët Medije Bytyqi dhe Ngadhnjim Arrni.

Prokuroria i akuzon se vrasjen e kanë kryer në bashkëkryerje dhe me motive pronësore pas një mosmarrëveshje paraprake.

Ndërkaq të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me këto akuza.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore më 5 prill 2021, rreth orës 20:00, në fshatin Gradicë të Drenasit, të pandehurit Xhafer dhe Amir Bardhi kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë privuar nga jeta B. M. dhe djalin e tij 15-vjeçar. Si dhe kishin vënë në rrezik jetën e të tjerëve V. M., V. M., dhe D. M.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Amir Bardhi kishte qenë duke ecur në pyll me djalin e axhës, ku udhës kishin takuar të dëmtuarin V. M. dhe të njëjtin i akuzuari e kishte pyetur se “Çka jeni duke bërë”, ndërsa i dëmtuari V. M., i kishte thënë se “jemi duke prerë dru në mal”.

Tutje thuhet se Amir Bardhi dhe dëshmitari janë larguar nga aty, Amir Bardhi ka pritur në rrugën ku të dërgon deri tek vendi ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa dëshmitari është larguar drejt shtëpisë së tij.

Tutje në aktakuzë thuhet që Amir Bardhi e ka thirrur në telefon Xhaferi Bardhin dhe ky i fundit e ka marrë armën dhe me veturë ka shkuar deri tek vendi i ngjarjes. Me të arritur tek vendi, ka shtënë me armë drejt të dëmtuarve dhe ka goditur 15-vjeçarin, në atë moment në ndihmë i ka dalë i ati dhe të dëmtuarit e tjerë. Pastaj i akuzuari ka gjuajtur përsëri me armë dhe ka goditur në kokë B. M., i njëjti ka ndërruar jetë dhjetë ditë më vonë.

Me këto veprime të akuzuarit sipas Aktakuzës kanë kryer veprat penale bashkëkryerje në vrasje të rëndë, ndërsa Xhafer Bardhi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast – LINK