Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV e zyrtarizon kandidaturën e Arben Vitisë për Prishtinën

Arben Vitia është zyrtarizuar si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Prishtinës.

Kështu ka njoftuar Lëvizja Vetëvendosje – Qendra e Prishtinës.

“Dje pasdite, është mbledhur Këshilli i Qendrës së Prishtinës, për të votuar kandidatin për kryetar të Prishtinës nga radhët tona dhe kandidatët për asamblenë komunale. Në një proces demokratik e të mirë menaxhuar në aspektin e respektimit të masave anti-COVID, delegatët nga pikat tona në fshatra e qytet, kanë votuar me shumicë votash kryetarin e Qendrës sonë, Arben Vitia, si kandidat për kryetar të Prishtinës”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.

Sipas njoftimit, në bazë të statutit tonë, delegatët votuan edhe gjysmën e kandidatëve për asamble në listën tonë, listë e cila e plotë do të publikohet në fillim të javës.

Arben Vitia është aktualisht ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Kurti 2, ashtu si edhe në mandatin e parë të qeverisjes së Kurtit më 2020.

Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.