Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi para një episodi të ri në serinë për marrëveshjet ndërkombëtare

Votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës, është kushtëzuar me “shpërbërjen e Parlamentit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje”, nga një pjesë e opozitës, e në anën tjetër me mos përgjigje në pyetjet parlamentare nga ana e ekzekutivit, deri në miratimin e ujdive. Ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon dy të tretat e votave (80) të cilat, Qeveria Kurti po e ka të vështirë t’i mbledhë tash e sa muaj.

Tash e sa kohë, ekzekutivi ka bërë përpjekje në Kuvend për të siguruar votën pro për disa marrëveshje ndërkombëtare me vlerë investimesh mbi 300 milionë euro që po presin votimin dhe shqyrtimin nga ligjvënësit kosovarë.

Qeveria Kurti ka shumicën në Parlament për të miratuar ligjet që kalojnë me shumicë të thjeshtë, pasi ai drejton një kabinet të mbështetur nga 64 deputetë, përfshirë grupin multietnik.

Megjithatë, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kërkon 80 vota të deputetëve, të cilat pozita e ka të vështirë t’i mbledhë për tash e sa kohë dhe në mungesë kuorumi, e sipas procedurave parlamentare, ato u barten seancave të ardhshme – seri kjo që po përsëritet për muaj me radhë.

Ndonëse këto marrëveshje hedhen në votim nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca gjatë seancave, shumica e deputetëve të opozitës ose largohen nga salla apo edhe refuzojnë të marrin pjesë në votim.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votimi është kushtëzuar me shpallje të zgjedhjeve të reja dhe shpërbërje të Kuvendit. Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se do mbështesë marrëveshjet, përveç njërës -Marrëveshja financiare me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut.

Ndërsa në kundërpërgjigje të tyre, ekzekutivi ka vendosur që të mos u përgjigjet në pyetjet parlamentare, deri sa të votohen ujditë.

Njohës të çështjeve politike kanë kritikuar të dyja palët, duke theksuar se vendimi i një pjese të opozitës për të mos votuar, ndikon negativisht në kërkesat e qytetarëve, përderisa në anën tjetër, sipas tyre ekzekutivi pyetjeve të deputeteve ka obligim ligjor të iu japë përgjigje.

Profesori universitar, Arben Fetoshi vlerëson se ka përplot veprime të tjera që opozita mund t’i përdorë në luftën politike kundër qeverisë. Atij kundërpërgjigja e pushtetit i duket absurde dhe irracionale.

Ndërsa hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Arbër Thaçi shprehet se ndonëse mos votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare paraqet papërgjegjësi, derisa siç thotë ai votimi i tyre nuk duhet të kuptohet si i obligueshëm.

Përbërja e Kuvendit të Kosovës, sipas numrit të deputetëve janë: LVV-ja ka 56 deputetë, PDK ka 18 deputetë, LDK -ja ka 16 deputetë,  AAK-ja ka 8 deputetë, 8 deputetë Grupi Multietnik si dhe 14 deputetë aktualisht pa grup parlamentar, përfshirë ata të Listës Serbe.

Marrëveshjet që kanë mbetur peng 

Në seancën e 5 tetorit 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka renditur marrëveshjet të cilat po i lënë peng mbi 300 milionë euro investime:

Marrëveshja financiare me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut në vlerë prej 40 milionë dollarësh, pret në Kuvend për ratifikim që prej datës 25 nëntor të vitit 2022;

Marrëveshja për Projektin Solar4Kosovo me BERZh-in në vlerë prej 23.2 milionë euro, e që pjesë e saj janë edhe 54.1 milionë euro grante, për projektin e zgjerimit të kapacitetit të Termokosit, pret në Kuvend për ratifikim që prej datës 23 mars 2023;

Marrëveshja për Projektin e KOSTT-it me KfW-në Gjermane në vlerë 25.5 milionë euro, për renovimin e nën-stacioneve të KOSTT-it nëpër zonat dhe komunat ku ka problem me tension të energjisë elektrike, pret në Kuvend për ratifikim prej datës 23 mars 2023;

Marrëveshja për burgjet me Qeverinë daneze, që siguron të ardhura buxhetore prej 150 milionë euro, dhe një grant për investime në energji të ripërtëritshme prej 27.5 milionë euro, pra gjithsej 177.5 milionë euro, pret në Kuvend për ratifikim që prej datës 9 qershor 2023;

Marrëveshja për Linjën Hekurudhore 10, Hani i Elezit-Leshak, me Bankën Evropiane Investive në vlerë 38 milionë euro, pret në Kuvend për ratifikim që prej datës 14 korrik 2023;

Marrëveshja për projektin e promovimit të agroturizmit me GIZ-in, në vlerë 10 milionë euro pret në Kuvend që prej datës 11 gusht 2023.

Kritika ndaj të dyja palëve

Në seancën e së enjtes (19 tetor 2023), nga ora 13:00 në rend të ditës të seancës plenare do shqyrtohen e votohen rreth 20 pika, e në mesin e tyre edhe katër marrëveshje ndërkombëtare për t’i ratifikuar e dy të tjera presin të shqyrtohen.

Për mos votimin e tyre, faji po u hidhet sikurse opozitës ashtu edhe pushtetit.

Profesori universitar, Arben Fetoshi thotë se ka përplot veprimet tjera që opozita mund t’i përdorë në luftën politike kundër qeverisë,  sipas tij fakti që ky s’është një vendim unik i partive opozitare tregon se për dështimin e këtyre marrëveshjeve ka faj edhe mazhoranca.

“Megjithatë, marrëveshjet janë me rëndësi për vendin dhe s’duhet të jenë peng i qëndrimeve inatçore të pozitës dhe opozitës”- ka theksuar Fetoshi në një bisedë me KALLXO.com.

Kurse hulumtuesi në KDI, Arbër Thaçi thotë se qëndrimet e opozitës kundrejt marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk janë të mjaftueshëm të arsyetuara, përveç një marrëveshje, asaj të Ndihmës Shoqërore që siç thotë Thaçi, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka ofruar një shpjegim ideologjik dhe shton se në secilin rast tjetër mos votimi këtyre ujdive paraqet një vendosje politike mbi bazë të vlerësimeve të tyre.

“Nga kjo pikëpamje, po aq shqetësuese sa mos votimi, mbetet mungesa e një arsyetimi përmbajtjesor, për çdonjërën prej marrëveshjeve, meqë disa prej tyre do të ndikonin drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Prandaj, kjo qasje e refuzimit të përgjithshëm apriori të të gjitha marrëveshjeve, duhet të kritikohet – partitë duhet të ftohen të japin mendime dhe shpjegime ideologjike për vendimet që ato marrin karrshi marrëveshjeve ndërkombëtare”- është shprehur Thaçi për KALLXO.com.

Për Fetoshin, vendimi i qeverisë që të mos i përgjigjet pyetjeve parlamentare është sfidim i rolit mbikëqyrës të Kuvendit, që krijon gjendje bllokuese në funksionimin e institucioneve.

“Derisa opozita ka të drejtë të përpiqet që ta rrëzojë qeverinë dhe ky është një angazhim i natyrshëm në demokraci, kundërpërgjigja e pushtetit më duket absurde dhe irracionale. Vendimi i qeverisë që të mos i përgjigjet pyetjeve parlamentare është sfidim i rolit mbikëqyrës të kuvendit, që krijon gjendje bllokuese në funksionimin e institucioneve dhe një ngërç i tillë prodhon vetëm pasoja në kurriz të qytetarëve”- nënvizon profesori.

Ndërsa, hulumtuesi i KDI-së., Thaçi shpjegon se ekzekutivi duhet të kritikohet për praktikën e mos përgjigjes së deputetëve, që sipas Thaçit, është shkelje tërësisht themelore e funksionit që ata bartin.

“Ndonëse mos votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare paraqet papërgjegjësi, votimi i tyre nuk duhet të kuptohet si i obligues; ndërsa ekzekutivi pyetjeve të deputeteve ka obligim ligjor të iu jap përgjigje”- shton ai.

Më tej, profesori universitar thotë se një çështje që e dobëson akoma më shumë pozicionin e Kosovës është ajo që ka të bëjë me masat ndëshkuese nga Bashkimi Europian.

“Një çështje tjetër që e dobëson akoma më shumë pozicionin e Kosovës është ajo që ka të bëjë me masat ndëshkuese nga BE-ja, prandaj situata në të cilën ndodhemi kërkon reflektim urgjent përmes veprimeve konkrete dhe mundësisht konsensuale, në mënyrë që të evitohen pasoja edhe më kërcënuese. Koordinimi me aleatët për t’i dhënë përgjigje sa më shpejt krizës në veri të vendit është mendoj se është çështja më urgjente e Kosovës”- ka deklaruar Fetoshi për KALLXO.com.

Përplasja pozitë e opozitë për marrëveshjet ndërkombëtare

Deklarata e kreut të ekzekutivit kosovar, Albin Kurti në seancën e 6 tetorit 2023, ka ngjallur diskutime në Kuvendin e Kosovës, pasi i kushtëzoi opozitën, që nëse duan përgjigje në pyetje parlamentare nga ai, t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë duke u bartur nga seanca në seancë.

“Për shkak se nuk po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare, të gjithë deputetët që i bëjnë pyetjet, nuk do ta kenë përgjigjen time edhe pse e kam tashmë të përgatitur. Duhet të jemi koleg të të njëjtit shtet, e jemi të të njejtit shtet, nëse bëhet fjalë për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesit publik e shtetëror”- ka deklaruar ai.

Përderisa doli në foltore t’i kundërpërgjigjej deputetes së AAK-së, Time Kadriaj e cila e pyeti për njohje të mundshme nga Greqia, Kurti ka theksuar se në kohën kur ai ka qenë në opozitë, vetëm tri marrëveshje nuk i ka votuar partia e tij.

“Nga 377 marrëveshje ndërkombëtare që kur unë isha opozitë parlamentare këtu, vetëm tri prej tyre nuk janë votuar. 374 janë votuar. Rrjedhimisht, atëherë kur do të jeni deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, vetëm atëherë unë do të përgjigjem në pyetje parlamentare sepse sigurohem që bëhet fjalë për parlamentin e Republikës së Kosovës. Nuk mund t’i bësh pyetje parlamentare kryeministrit dhe ta dëmtojshë shtetin në masën e përgjithshme  360 milionë euro nga ajo një dyzinë e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilët ju refuzoni t’i votoni”- ka theksuar Kurti.

Derisa, deputetja Kadriaj e pyeti nëse ai ka votuar marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

“A ke votu ti marrëveshjen e Stabillizim Asociimit, ti je këtu për të shkatërruar shtetin e Kosovës, ti deputetët e tu nuk i ke lejuar të votojnë për Policinë e Kosovës, për përkrahje me mjete financiare. Shko shëtitu nëpër Greqi sa të duash, nuk i ke bërë hajr këtij shteti”-ia ktheu ajo.

Pas deklaratës së kryeministrit, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë se qeveria është në cirk.

“Qeveria është moti në cirk, se ka degjeneruar gjithçka në këtë vend, e kemi kuptuar, por se shkon deri në këtë shkallë se beson askush. Të vijë qeveria të na vë kushte në parlament, kjo është diktaturë, por nuk do lejojmë që të instalohet diktatura këtu”- tha deputetja Musliu.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka treguar se qëndrimi i partisë së tij është se nuk votojnë asnjë projektligj dhe ka kërkuar që kjo legjislaturë “të marrë fund”.

“Ne ju ftojmë që të ulemi dhe të diskutojmë për datën e zgjedhjeve dhe në momentin që dakordohemi kur ta dërgojmë vendin në zgjedhje, ta shpërbëjmë këtë legjislaturë jo funksionale, jemi dakord që brenda asaj ditë do t’i kalojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare”- tha Tahiri.

“Pra atë ditë që ne dakordohemi që të shpërbëhet ky parlament të njëjtën ditë kemi me i kalu të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare”- shtoi ai.

Ndonëse LDK-ja është deklaruar se do votojë marrëveshjet ndërkombëtare përveç marrëveshjes me OPEC-un, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka theksuar se është detyrë e Qeverisë që të krijojë konsensus politik në Kuvend, për çështje që konsiderohen me interes nacional ose me interes të përgjithshëm përtej interesit të qeverisjes.

“Në mënyrën  e funksionimit të parlamentarizmit, detyrë funksionale primare është e shumicës që me kriju konsensusin politik në Kuvend, pra Qeveria nëpërmjet grupit parlamentar e ka për detyrë me kriju konsensus për çështje që konsiderohen me interes nacional ose me interes të përgjithshëm përtej interesit të qeverisjes”- tha Gashi.

“Pra do të duhet të ishte shprehja juaj e saktë, dështim i Qeverisë, sepse përgjithësimi i përgjegjësisë në Kuvend është i pasaktë. Qeveria nuk ka mbrri për asnjë temë asnjë çështje me iniciativë të veten me kriju konsensus në Kuvend në tri vite të qeverisjes”- ka thënë mes tjerash ai.

Kurse kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se partia e tij ka votuar marrëveshjen ndërkombëtare për reforma sociale, dhe ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Muratin, se për pesë muaj nuk ia ka dërguar asnjë letër Kuvendit.

“AAK-ja është subjekti politik që e ka votuar marrëveshjen ndërkombëtare për reforma sociale. A e dini që ministri i Financave, qe pesë muaj, prej që është votuar marrëveshja, asnjë letër nuk ia ka dërguar Kuvendit. Çka do të bëjë me reformat sociale? Ky ministër merret vetëm me opozitën, duke e sulmuar, e jo me punën dhe detyrën që ia ka dhënë ky Kuvend dhe ky popull”- ka deklaruar deputeti i AAK-së.

“Si grup parlamentar nuk do të ndalemi dhe nuk do të zmbrapsemi nga kryeministri Kurti, i cili duke mos u përgjigjur pyetjeve, mundohet ta mashtrojë një popull. Ai mund t’i mashtrojë votuesit e vet, por jo popullin. AAK-ja i ka votuar ligje me 61 vota, e lëre më marrëveshje ndërkombëtare”- ka theksuar ai.

Masat e BE-së ndaj Kosovës

Qeveria e Kosovës ishte njoftuar për masat e Bashkimit Europian më 28 qershor 2023, e që më pas të njëjtat hynë në fuqi në fillim të korrikut.

Ato u vendosën për shkak që siç ishte thënë nga unioni europian, të mospërmbushjes së kushteve të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Tensionet në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u rritën në fund të majit.

Masat ndëshkuese përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Po ashtu masat përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën në maj, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur në prill,  në votimet e bojkotuara nga serbët lokalë, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe që në katër komunat veriore të mbahen zgjedhje të reja.

Ndërkaq, ditëve të fundit, institucionet e Kosovës, liderët e rajonit e eurodeputetët, ditëve të fundit kanë shtuar presionin mbi Bashkimin Europian për të zbatuar masa ndëshkuese ndaj Serbisë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Pa specifikuar detajet, nga Bashkimi Europian kanë thënë se po presin një hetim të plotë të ngjarjes për të vendosur më pas për hapat e radhës nga BE- ja.

Nga Qeveria e Kosovës thonë se prej 24 shtatorit në vazhdimësi kanë publikuar dëshmitë që faktojnë përfshirjen e shtetit serb në sulmin terrorist.

Ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar të zhvillojë ndonjë takim me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Granada të Spanjës, para se të vendosen sanksione ndaj Serbisë.

“Nuk ka arsye për t’u takuar para se miratohen sanksionet ndaj Vuçiqit, fillimisht sanksionet dhe më pas mund të flasim për të tjerat” – kishte thënë presidentja Osmani.

Përkundër interesimit të KALLXO.com, Bashkimi Europian nuk dhënë detaje nëse janë përgatitur masa ndaj Serbisë dhe kur do të bëhen publike.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se po presin një hetim të plotë të ngjarjes së 24 shtatorit në Banjskë për të vendosur më pas për hapat e radhës nga BE- ja ndaj palëve, ndërsa ka shtuar se nga Serbia presin bashkëpunim të plotë dhe pa kushte në hetimin e sulmit terrorist.

Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka hedhur poshtë akuzat e Kosovës se ajo qëndron pas sulmit të cilësuar nga autoritetet kosovare si “tentim për ta aneksuar veriun e Kosovës”.