LVV deklarohen për mospjesëmarrjen në seancën e jashtëzakonshme për çështjen e librave

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin për Arsim, deklaruan se nuk kanë marrë pjesë sot në seancën e jashtëzakonshme pasi për ta është e pa pranueshme që në thirrjen e opozitës vendimi për librat është quajtur dështim.

“Qysh në fillim kemi një qasje që për ne është e papranueshme që në thirrjen e opozitës është thënë që ka dështuar Qeveria, kur ende është në proces i gjithë furnizimi me tekstet shkollore. Nuk e kemi ende një epilog të procesit, që ne nuk besojmë se ka diçka të pazakontë. Kjo çështje do të diskutohet në Kuvend pasi që të kemi një epilog” – tha deputeti Ardian Gola.

Ai tha se kjo çështje do të diskutohet pasi të ketë epilog të qartë të këtij procesi mbi sfidat, përparësitë etj.

Ndërsa, deputetja Arijeta Rexhepi ka thënë se 18 shkolla ende s’e ka nisur procesin mësimor por jo për shkak të teksteve shkollore.

“Janë gjithsej 18 shkolla që nuk kanë filluar mësimin, që janë për shkak të infrastrukturës dhe jo për shkak të librave. Ne e konsiderojmë tendencioze të thuhet se është dështim veprimi i Ministrisë”- ka shtuar Rexhepi.

Ajo ka thënë se të quhet e dështuar një reformë e tillë është tendencioze dhe politike.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë sot në seancën e thirrur nga opozita për të diskutuar lidhur me librat shkollor.

Në anën tjetër, procesi i sivjetmë i pajisjes së nxënësve me tekste shkollore ka hasur në kritika të shumta.

Për dallim nga vitet e kaluar, prindërit është dashur që vet t’i blejnë librat shkollorë për fëmijët e tyre.

Qeveria e Kosovës ka subvencionuar prindërit për blerjen e librave shkollorë, në shumë prej 80 eurove për fëmijët nga klasa 1-5, për libra dhe mjeteve shkollore, ndërsa nga 30 euro për fëmijët nga klasa 6-9 për blerje të materialeve shkollore.

Për të përfituar subvencionimi, prindërit duhet të aplikojnë përmes platformës e- Kosova.