Ilustrim

Eksperti i çështjeve të sigurisë tregon se cili është rreziku për Kosovën nga lufta në Ukrainë

Prej pesë ditësh, me urdhër të presidentit Vladimir Putin, trupat ruse kanë hyrë në Ukrainë dhe po zhvillojnë luftime derisa rreziku është paralajmëruar edhe për disa vende në kufi me këto dy shtete dhe Ballkanin Perëndimor.

Kosova mund të përballet me një rrezik real pas luftës e cila nisi më 24 shkurt në Ukrainë. Deri më tani janë raportuar qindra të vrarë dhe mbi 400 mijë refugjatë ukrainas të cilët po e lëshojnë vendin pas sulmit ushtarak nga Rusia.

Të dielën, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se “kemi frikë se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë” duke shtuar se pushtimi rus i Ukrainës mund të përhapet në vendet fqinje, duke përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor.

Ramadan Qehaja, ekspert i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë ka thënë se Kosova duhet t’i ndërmarrë disa hapa në mënyrë që të ruaj sigurinë kombëtare. Ai tha se rreziku kryesor për vendin tonë vjen nga Serbia.

Pikë kritike, sipas Qehajes, është veriu i vendit.

“Këtë, Beogradi zyrtar e ka arrit duke i mbajt atje njësitet e BIA-s, njësitet e mbrojtjes civile, ushtar të kamufluar në rroba civile duke i futur në territorin tonë duke bërë një destabilizim dhe nuk mund të themi që jemi duke e kontrolluar plotësisht atë pjesë të territorit tonë”, tha Ramadan Qehaja në një intervistë për KALLXO.com.

Mënyra se si presidenti rus, Vladimir Putin, veproi në Ukrainë për ta pushtuar këtë vend, eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë thotë se njëjtë mund të veprojë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Unë kujtoj që, në bazë të taktikës dhe strategjisë së veprimit të forcave ruse kundër Ukrainës, Vuçiq do t’i nxjerrë disa kolaudime dhe mund të ndodh që edhe ai të veprojë në pjesën veriore të vendit tonë do të thotë, në një pjesë të vendit tonë, mendoj parasëgjithash, në pjesën veriore duke i futur në një shpejtësi të madhe forcat e veta dhe duke tentuar që sa më parë me një sulm të rrufeshëm të depërtojë deri te lumi “Ibër””, thotë Ramadan Qehaja.

Në këtë mënyrë, thotë ai do të fillonte ndarja e Kosovës dhe sipas tij, shteti serb do “të përgatitet për biseda të mëvonshme që po zhvillohen në mes Kosovës dhe Serbisë dhe të krijojë një favor për vete në bisedimet e ardhshme e cila kishte me qenë shumë e rrezikshme”.

Destabilizimi në Ballkanin Perëndimor mund të ndodh në tre vende, sipas Qehajes.

“Siç ka thënë edhe z. Borrell, ne presim që një tentativë e destabilizimit të Ballkanit do të kemi, parasegjithash ndaj Kosovës, ndaj Republika Serpkas për të ju bashkangjitur Serbisë dhe ndaj Malit të Zi në mënyrë që forcat serbo-ruse të kalojnë në detin Adriatik dhe kështu ta bëjnë një përforcim dhe kështu destabilizojnë edhe më tepër vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë ai.

Hapat që duhet të ndërmarrë Kosova

Sipas Ramadan Qehajës, ekspertit të çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Kosova duhet t’i ndërmarrë disa hapa menjëherë që të përgatitet në rast të ndonjë agresioni nga Serbia.

Sipas tij, pika kritike është veriu i vendit, atje ku mungon sovraniteti i plotë e Kosovës.

“Ne duhet ta shikojmë pikë së pari vijnë e pikës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë dhe të bëjmë një përforcim të njësiteve kufitare të Policisë së Kosovës në disa pika, ta bëjmë një vlerësim se në cilat drejtime mund të ketë tentim të depërtimit serb këtu në Kosovë sepse po e shohim që në pjesën veriore të vendit tonë shumë gjëra nuk po shkojnë siç duhet”, ka vlerësuar Qehaja.

Këto përgatitje sipas tij duhet të bëhen nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës dhe drejtori i Policisë duke bërë një vlerësim të situatës së sigurisë në vend.

Por, përgatitjet duhet t’i shtojë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas Qehajes.

“Sa i përket Forcës së Sigurisë së Kosovës, ajo duhet ta bëjë një vlerësim të situatës që e ka brenda vetës, cilat janë përparësitë e saj dhe dobësitë e saj, cilët duhet të jenë hapat që duhet të ndërmarrë, në bashkëpunim me KFOR-in dhe njësitet kufitare të Policisë”, thotë ai.

“Ne nuk mund gjithnjë të mbështetmi në ndihmën e dikujt sepse tani koha ka ndryshuar dhe çdo shtet mendon për sigurinë e vet, pra ne duhet të jemi të gatshëm ta japim kontributin aq sa mundemi me këto njësitë”, ka vlerësuar Ramadan Qehaja.

Përgatitjet duhet të shtohen edhe në sektorë të tjerë të sigurisë, sipas njohësit të kësaj fushe.

“Inteligjenca jonë duhet të jetë në terren duhet të bëjë një vlerësim të duhur dhe tu jap udhëheqësisë tonë elementet e duhura për të marrë vendime të cilat kishin me qenë të rëndësishme për ne dhe për mbrojtjen e vendit tonë”, ka thënë ai për KALLXO.com.

“Gjithashtu, gatishmëria emergjente në terren duhet përforcuar, njësitet e mbrojtjes civile që i kemi, njësitet për veprim dhe shpëtim në situata emergjente. Ju e dini që ne i kemi edhe disa strehimore të cilat të parregulluara të pa pastruara, këto në shikim të parë duken sikur të vogla, por po shohim në Ukrainë që po vjen në shprehje edhe bodrumet por, në çfarë gjendje i kemi ne ato?”, ka deklaruar ai.