Screenshot

“Lufta e tyre është edhe e jona”: Protestues nga Kosova solidarizohen me protestuesit në Zvërnec të Shqipërisë

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, më 04.06.2026, protestuan para Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë në shenjë përkrahjeje me banorët e Zvërnecit të cilët janë duke protestuar kundër punimeve për ndërtimin e një resorti në zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë.

Përkrahja për këta banorë u kumtua nga aktivistja Liridona Sijarina e cila tha se kjo është edhe ‘lufta e tyre’ dhe se ata nuk janë vetëm.

“Sot prej Kosovës ne ua kumtojmë shoqeve e shokëve tanë në Shqipëri e krejt popullit shqiptar atje që lufta e tyre është edhe e jona” – tha aktivistja Sijarina.

Ajo hodhi akuza ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili sipas saj, së bashku me miqtë e tij do të mposhten dhe “çdo cep i vjedhur do t’i kthehet Shqipërisë.”

“Populli shqiptar do të triumfojë. Edi Rama dhe miqtë e tij do të mposhten. Zvërneci, Sazani, Rrjolli, lumi Vjosa e çdo cep i vjedhur do t’i kthehen Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Dhe e vetmja koloni që do të qëndrojë është ajo e flamingove” – tha ajo.

Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, i cili në mars të vitit 2024 deklaroi se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

Banorë të Zvërnecit, më 30.05.2026, protestuan kundër punimeve për ndërtimin e resortit, në jugperëndim të Shqipërisë, mes kundërshtimeve për ndikimin në mjedis dhe mosmarrëveshjeve mbi pronësinë e tokës.

Protestuesit tentuan të hynin në kantierin e ndërtimit dhe u përleshën me punonjësit e sigurisë private të kontraktuar nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila po kryen punimet.

Atyre iu bashkuan edhe aktivistë të mjedisit, të cilët kundërshtojnë projektin duke argumentuar se po dëmtohet një zonë e mbrojtur me rëndësi të veçantë për biodiversitetin.

Pas protestës, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” reagoi përmes një deklarate, duke thënë se investimi po zhvillohet në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe se rrethimi është vendosur në një pronë private të blerë ligjërisht.

Sipas saj, investimi pritet të arrijë vlerën e 4 miliardë eurove dhe të krijojë rreth 10.000 vende të reja pune.

Një ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kundërshtoi pretendimet e organizatave mjedisore dhe aktivistëve se shteti po i jep investitorëve tokë publike në Zvërnec.

“Mbi gjithë këtë është krijuar zhurma e një lajmi të rremë se shteti po fal Zvërnecin. Shteti nuk po fal asgjë. Ajo është një pronë private dhe investitorët e përfshirë janë tejet seriozë, të cilët atë pronë e kanë marrë nga privatët”, tha Rama.

Ai shtoi se shteti ka interesa pronësore vetëm në pjesën e projektit që lidhet me ishullin e Sazanit dhe se negociatat për këtë projekt ende nuk kanë përfunduar.

Megjithatë, më 02.06.2026, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se prokurorët kundër korrupsionit kanë bllokuar një transaksion prone të lidhur me projektin turistik në Zvërnec, pranë Vlorës, por këmbënguli se investimi nuk do të ndalet.

Banorë të Zvërnecit, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Shqipëri po e kundërshtojnë projektin, duke thënë se ka paqartësi lidhur me pronën, investimin dhe personat e përfshirë.

Ditët e fundit janë mbajtur disa protesta, në të cilat është kërkuar anulimi i projektit dhe dorëheqja e kryeministrit Rama.

Rama ka mbrojtur projektin dhe tha se ai nuk do të anulohet për sa kohë është kryeministër.

Organizatat për mbrojtjen e mjedisit kanë nisur edhe mbledhjen e nënshkrimeve për anulimin e projektit përmes një peticioni online.

Banorët e zonës kanë organizuar edhe më parë protesta, duke pretenduar se prona e tyre po u merret në mënyrë të paligjshme.

Kompania që ka nisur punimet është themeluar në maj të vitit 2024.

Komiteti për Investimet Strategjike ka publikuar dokumentacionin për projektin në Sazan, por deri më tani nuk ka publikuar dokumente që lidhen me një investim strategjik në Zvërnec.