‘Punëtoret e ndërtojnë Kosovën që s’iu takon’ - Aktiviteti i Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist më 1 maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, kanë bllokuar njërën nga rrugët në Prishtinë, shenjë proteste për kushte më të mira të punës për punëtorët.

“Punëtorët  e ndërtojnë Kosovën që s’iu takon”- është moto e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

“1 Majin sot e nisëm me bllokadë në rrugë për të kumtuar të vërtetën e klasës tonë punëtore: ne punojmë për ta ndërtuar një shtet që nuk na përket neve, por kapitalistëve në publik e privat. Jemi ne dhe shumë para nesh që kanë ndërtuar të mirat që sot na vidhen dhe përdoren kundër nesh, duke na mbajtur shumë prej nesh veç me trosha buke e lëmoshë, në një ekonomi që po rritet me djersën e gjakun e punëtorëve/eve, për të na varfëruar edhe më tej shumicën prej nesh”- thuhet në postimin e tyre në rrjetin social Facebook.

Kjo organizate theksoi se punëtorët në Kosovë po përballen me jetë që po bëhet çdo herë e më e pajetueshme, duke kryer punë të shumëfishta, pa siguri sociale, me çmime të papërballueshme, shpërfillje shtetërore e shfrytëzim privato-publik.

“Gratë amvise që e kryejnë punën kyçe që e mundëson shfrytëzimin kapitalist mbesin të stërlodhura e pa të ardhura bazë, pensionistet/ët marrin lëmosha që as barnat nuk ua mbulojnë, punëtorët/et në sektorin privat keqpaguhen, keqtrajtohen e edhe vriten në vendin e punës, personat e etnive të racializuara keqtrajtohen e përjashtohen, gratë punëtore abuzohen seksualisht, shtypen shumëfish, personat queer shpesh përjashtohen komplet prej tregut, personat neurodivergjentë e me aftësi të kufizuara ose keqpërdoren, ose shndërrohen në kartë të marketingut korporativ që i shfrytëzon kapitali për fitim”- kanë deklaruar më tej nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Ata kanë theksuar se këtë 1 Maj është koha që protesta të paraqes prapë rrezik për pushtetin.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, sot protestohet në Prishtinë