“Kolektivi për mendim dhe veprim feminist” vendos baner para Presidencës kundër përfshirjes së Kosovës në “Bordin e Paqes”
Organizata “Kolektivi për mendim dhe veprim feminist” më 21.02.2026 kanë vendosur në hyrje të Presidencës së Kosovës një baner me mbishkrimin “Jo në emrin tonë, ne jemi për çlirimin e Palestinës”, duke kundërshtuar vendimin për t’iu bashkuar Bordit të Paqes së themeluar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas kësaj organizate, Bordi i Paqes i themeluar nga presidenti Donald Trump, synon të menaxhojë Gazën nëpërmjet vazhdimit të nënshtrimit, uzurpimit dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore e njerëzore.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka futur Kosovën në “Bordin e Paqes” së Donald Trump, i mandatuar për ta administruar territorin e Gazës. I themeluar si një trupë ndërshtetërore që për kryetar, anëtar të përhershëm dhe me të drejta eskluzive ka Donald Trump si individ,, Bordi i Paqes synon ta menaxhojë Gazën nëpërmjet vazhdimit të nënshtrimit, uzurpimit dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore e njerëzore”- thuhet në komunikatë.
Organizata vlerëson se “Bordi i Paqes shënon një kthesë tjetër politike, duke e bërë kështu rendin ndërkombëtar ndërmarrje personale që nënshtron shtete për grumbullim individual të kapitalit”.
“E ftuar nga Trump, Vjosa Osmani e ka zotuar pjesëmarrjen e Kosovës. Sipas planeve të këtij Bordi, shtetet anëtare do të dërgojnë trupa ushtarake për administrimin e zonave të Gazës si dhe, në rast të synimit për t’u bërë anëtare të përhershme, duhet të paguajnë mbi 1 miliardë dollarë për anëtarësi. Lëvizja e presidentes Osmani shënon një rreshtim i cili përveç se e legjitimon gjenocidin dhe e bën Kosovën bashkëfajtore në kolonializimin e mëtejshëm të popullit palestinez, paraqet precedent të rrezikshëm për shtetin dhe popullin e Kosovës. FSK-ja, e formuar për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës, do të dërgohet për të mbajtur një rend gjenocidal, e në këtë mision do të rrezikohen dhe të vriten në fushëbetejë me ata/o që luftojnë për lirinë e tyre”- thuhet tutje në kumtesë.
Më tej, Organizata ka kërkuar që kjo marrëveshje të mos ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.
“Ne si qytetare e qytetarë të kësaj republike, kumtojmë që ju nuk keni mandat prej nesh të shkoni të pushtoni shtete tjera, dhe kërkojmë që kjo marrëveshje të mos ratifikohet në Kuvend. Ne qëndrojmë për çlirimin e çdo populli dhe të tokave të tyre. Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin palestinez dhe rezistencën e përpjekjet e tyre për çlirim, sot e përgjithmonë. Rrnoftë Palestina e lirë!”- përfundon komunikata.
Më 18.02.2026, presodentja Osmani kishte njoftuar se ka udhëtuar për në Uashington D.C për takimin inaugurues të Bordit të Paqes.
Deri në dhjetor 20 vende kishin konfirmuar se do të jenë pjesë e Bordit. Ndër to, Kosova, Shqipëria, Bullgaria dhe Hungaria janë të vetmet vende europiane që janë bashkuar.
Italia, Qiproja, Greqia dhe Rumania dhe Bashkimi Evropian, kanë vendosur të bashkohen si vëzhgues, që do të thotë se nuk do të marrin pjesë në vendimmarrje.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në vend të kësaj do të dërgojë Dubravka Suica, komisioneren evropiane për Mesdheun.
Sidoqoftë, presidentja Osmani pas nënshkrimit të Kartës të Bordit të Paqes më 22.01.2026 ka bërë të ditur se kjo marrëveshje historike, siç e quan ajo, do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit.
Bordi i Paqes do të ketë një “Bord Ekzekutiv themelues” që përfshin Jared Kushnerin, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special Steve ëitkoff dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
Derisa 20 vende u bënë nënshkruese të Kartës së Bordit të Paqes, vendet perëndimore nuk kanë pranuar të bashkëngjiten.
Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, i tha BBC-së se vendi i saj nuk do të jetë një nga nënshkruesit “sepse bëhet fjalë për një traktat ligjor që ngre çështje shumë më të gjera”.
Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaruan se do të kishin qenë të gatshëm t’i bashkoheshin “Bordit të Paqes”, por nuk munden për shkak të barrierave kushtetuese. Kurse Kanadaja shfaqi hezitim dhe rezerva të forta, gjë që çoi në tërheqjen e ftesës nga ana e Trumpit. Franca dhe Norvegjia kanë refuzuar.
Trump në fjalimin e tij në Bordin e Paqes tha se nuk e ka qëllimin që t’i rivalizojë ose t’i minojë Kombet e Bashkuara. Megjithatë, republikani amerikan vitin e kaluar kishte kritikuar haptazi këtë mekanizëm duke e vlerësuar si të padobishëm. Një gjë të tillë e përsëriti edhe në mes të janarit 2026, duke deklaruar se është një adhurues i madh i potencialit të OKB-së, por sipas tij “ajo kurrë nuk e ka përmbushur potencialin e saj”.
Liderët e Argjentinës, Armenisë, Azerbajxhanit, Bahreinit, Bullgarisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Hungarisë, Indonezisë, Jordanisë, Katarit, Kazakistanit, Kosovës, Marokut, Mongolisë, Pakistanit, Paraguait, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Uzbekistanit janë ata që kanë vënë nënshkrimet e tyre në ditën e themelimit të këtij bordi, më 22 janar në Davos të Zvicrës.
Sipas draftit të statutit, një kopje e të cilit u sigurua nga media e mirëbesueshme ndërkombëtare CNN, Trump do të shërbejë si kryetar i bordit, ndoshta duke mbajtur postin përtej mandatit të tij të dytë si president. Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor 2025 i ka dhënë mandat Bordit të Paqes, por vetëm deri në vitin 2027 dhe me fokus vetëm në Gazë.
Rezoluta mirëpret krijimin e Bordit të Paqes si administratë kalimtare “që do të përcaktojë kornizën dhe do të koordinojë fondet për rindërtimin e Gazës”, sipas planit të paqes të Trumpit, derisa autoriteti palestinez të reformohet në mënyrë të kënaqshme.