Foto: KALLXO.com

Lista Serbe pretendon se është sulmuar me mjet shpërthyes prona e deputetit Zoran Maksimoviq

Lista Serbe po pretendon se është sulmuar me një mjet shpërthyes prona e deputetit të Kuvendit të Kosovës, Zoran Maksimoviq, në Ranillug.

LS thotë se dënojnë ashpër këtë sulm.

“Dënojmë ashpër sulmin me një pajisje shpërthyese ndaj pronës së deputetit të Listës Serbe Zoran Maksimoviq në Ranillug dhe kërkojmë që përgjegjësit për këtë akt të tmerrshëm, që ka mërzitur të gjithë serbët, sidomos në pjesën e Anamoravës. Duhet urgjentisht të përcaktohen të gjitha faktet dhe rrethanat e këtij sulmi, sepse është e papranueshme që qytetarët të sulmohen pa asnjë arsye, e sidomos jo përfaqësuesit e popullit serb”- thuhet në reagim.

Lista Serbe pretendon se “seria e sulmeve ndaj serbëve në jug të Kosovës” është pasojë e retorikës së “regjimit në Prishtinë”.

“Ndajmë qëndrimin e qytetarëve se pasiguria e serbëve është pasojë edhe e pasivitetit të institucioneve kompetente të sigurisë, vendore dhe ndërkombëtare të cilat janë përgjegjëse për sigurinë e të gjithë qytetarëve përfshirë edhe serbët në këtë fushë”- është shprehur LS-ja.

KALLXO.com ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për të marrë detaje në lidhje me pretendimet e Listës Serbe, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi, nuk ka pasur përgjigje.