Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Lista Serbe ndez qirinj në nderim të terroristëve të vrarë

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Car Llazari”, në Mitrovicë të veriut, ku kanë ndezuar qirinj në nderim të pjesëtarëve të grupit terrorist, të vrarë në Banjskë në operacionin e Policisë së Kosovës.

Të pranishëm ishin edhe anëtarët e subjektit politik Lista Serbe, përfshirë kryetarin e kësaj partie, Goran Rakiq.

Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com
Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com
Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Sot, Lista Serbe përmes një shkrimi në Facebook ka njoftuar se kanë shpallur 3 ditë zi për siç e kanë quajtur ata, ngjarjen tragjike në Banjskë të Zveçanit.

Policia e Kosovës ka vrarë 3 pjesëtarë të grupit terrorist, i cili mëngjesin e së dielës kreu akt terrorist mbi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në deklarimin e saj, Lista Serbe thotë se ka shpallur ditë zie për vdekjen e bashkëqytetarëve të saj.

Po ashtu sot gjatë ditës edhe Qeveria serbe shpalli 27 shtatorin ditë zie në Serbi pas vrasjes së 3 pjesëtarëve të grupit terrorist.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar pamje në të cilat shihet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në mesin e grupit terrorist që sulmuan Policinë e Kosovës, të dielën e 24 shtatorit.

Ministri Sveçla ka thënë se Radoiçiq ka qenë udhëheqës i grupit terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.

Organet e rendit konfirmuan se tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë dhe tetë të tjerë janë arrestuar, dy prej tyre të uniformuar dhe katër të tjerë që ndihmonin në operacion përmes radiolidhjeve.

Të hënën Policia e Kosovës prezantoi pajisjet luftarake ushtarake të grupit terrorist.