Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiqit

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiqit.

Aktakuza ndaj Rakiqit rëndon për mos-raportim apo raportim të rrejshëm të pasurisë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.

“Sa i përket aktakuzës kundër Goran Rakiq e konfirmojmë se Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë kundër të njëjtit, për veprën penale ‘Mos-raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” – ka thënë Ulaj.

Ajo nuk ka dhënë detaje se për cilin vit bëhet fjalë.

Rakiq ka qenë ministër i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim ndërsa kishte dhënë dorëheqje në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe në veri të Kosovës.

Me 01.12.2022 Nenad Rashiq ishte emëruar si zëvendësues i tij.

Sipas deklarimit të pasurisë së Goran Rakiq në vitin 2022, ai kishte deklaruar se ka në pronësi të prindit të tij tre stane me sipërfaqe 58m2; 75m2 dhe 38m2 me vlerë 30 mijë euro; 40 mijë euro dhe 25 mijë euro.

Si dhe një tokë me 9.5 ari sipërfaqe në vlerë 350 mijë euro.

Rakiq kishte deklaruar në pronësi të bashkëshortes së tij një veturë në vlerë 10 mijë euro, si dhe 50 mijë euro para të gatshme në bankë.