Lezhë, vritet oficeri i krimeve

Sot, rreth orës 10:30, Policia e Shtetit njoftoi se një oficer i krimeve është qëlluar me armë zjarri. I njëjti, sipas Policisë ka vdekur në spitalin rajonal të Lezhës.

“Rreth orës 10:30, në Ishull Lezhë ,në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri në drejtim të grupit të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike”, thuhet në njoftim.

“Si pasojë është plagosur me armë zjarri oficeri i Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë shtetasi S. H., 44 vjeç, i cili për pasojë të plagëve të marra ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin Rajonal Lezhë”, vijon njoftimi.

Përmes një njoftimi në rrjete sociale, policia shqiptare ka publikuar edhe fotografitë e të dyshuarit për kryerjen e kësaj vrasjeje.

“Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive me pika kontrolli të lëvizshme, kontrolle në banesa, lokale e ambiente të ndryshme, si dhe po vijon krehja masive e territorit, për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar të vrasjes së oficerit të Policisë, i cili ishte duke kryer detyrën”, njoftojnë forcat e rendit.

Me këtë rast, Policia ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për të identifikuar të dyshuarin ndërsa, ka përcaktuar edhe një shumë parash për të gjithë ata që ofrojnë informacion.

“Për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizmin dhe kapjen e autorit, shtetasit Aldi Rama, 21 vjeç, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 20 mijë euro, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe të sigurt. Për informacione të vlefshme, qytetarët të telefonojnë në numrin 0694110853”, thuhet në fund të njoftimit.