Franca thotë se Rusia do të “përgjigjet” për vrasjen e dy francezëve në Ukrainë

Franca ka thënë të premten se Rusia duhet të përgjigjet për vdekjen e dy shtetasve francezë, të cilët u vranë nga një sulm me dronë në rajonin Herson në Ukrainë, derisa po i kryenin detyrat e tyre humanitare.

Guvernatori rajonal i Hersonit, Oleksandr Prokudin, shkroi në rrjetin social Telegram se dy shtetas francezë u vranë dhe tre shtetas të huaj të tjerë u plagosën nga sulmi në Berislav, një qytet në veri të Hersonit më 1 shkurt.

Prokudin nuk tregoi se për cilin ekip humanitar punonin ata.

“Barbarizmi rus i ka sulmuar civilët në Ukrainë”- shkroi ministri i Jashtëm i Francës, Stephane Sejourne, në rrjetin social X.

“Rusia duhet të përgjigjet për krimet e veta”- shtoi ai.

Reagimi i Francës vjen në ditën kur gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara tha të premten se ka juridiksion në shumicën e aspekteve të rastit që Ukraina e ngriti kundër Rusisë, pak pasi Moska e nisi pushtimin e plotë të vendit fqinj para gati dy vjetëve.

Rasti i ngritur nga Kievi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, akuzon Rusinë se ka shkelur Konventën e Gjenocidit të vitit 1948, duke pretenduar rrejshëm se pushtimi i 24 shkurtit të vitit 2022, u nis në mënyrë që të frenojë një gjenocid të supozuar ndaj rusishtfolësve në lindje të Ukrainës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shkroi në rrjetet sociale se “punëtorët e guximshëm humanitarë francezë i ndihmuan popullit dhe ne gjithmonë do të jemi mirënjohës për humanizmin e tyre”.

Hersoni ka qenë në qendër të sulmeve të forcave ruse në muajt e fundit./REL