Letrat e dashurisë së Agim Ramadanit dërguar gruas së tij

Në 24 vjetorin e rënies së heroit Agim Ramadani, gruaja e tij, Shukrije Ramadani ka publikuar disa letra dashurie, të cilat ai ia kishte dërguar asaj.

Letrat që i përkasin viteve të 80-ta, përmbajnë poezi të cilat bien në sy edhe për bukurshkrimin e Ramadanit.

Këto janë dy nga strofat e letrës “Tingëllimë”, që Agim Ramadani i kishte shkruar për gruan e tij, Shukrije Ramadanin.

Kur kujtoj ndezjet e prekjeve në mua

Ndjej mungesën e ngacmimeve tua

Si lodhjen nga gjaku në rrjetën me fjalë

Gjer në nisje t’udhës te Ti për me ardhë!

 

 

Në shtratin ushtarak s’mundë t’a mbuloj vetminë

Kur kërkoj përgjigje në pritjen e gjatë

Si ti them natës- ku e kam lënë dashurinë!

“Numrat e viteve, bashkë me dhimbjen për mungesën tënde po shtohen çdo vit! Nuk dua ta kujtoj dhembjen, e as të përhumbem në mallin e mungesës tënde, dua që edhe të tjerët të t’njohin dhe të shohin thellësinë e mendimit dhe shpirtit tënd, ashtu siç e njoha unë, të gjejnë poetin, artistin, krijuesin e njeriun që jetë i jep dashurisë dhe din ta shprehë në çdo formë e varg!” – ka shkruar Shukrije Ramadani krahas fotografive të publikuara.

Agim Ramadani, i njohur edhe me nofkën ‘Katana’, ishte nga Zhegra e Gjilanit. Përveç ushtarak, ai ishte artist e shkrimtar. Studioi në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Pas shpërthimit të luftës në Kosovës iu bashkua UÇK-së, ku edhe ishte komandant i Brigadës 138, deri në ditën e rënies së tij, në Koshare në prill të 1999. Pas luftës iu dha titulli Hero i Kosovës.