LDK paralajmëron se do të kërkojë komision hetimor parlamentar për rezervat shtetërore

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka paralajmëruar që në mbledhjen e parë të parlamentit në sesionin e ri, partia e tij do të kërkojë të formohet një komision hetimor për të hetuar “keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme” me rezervat shtetërore.

Gashi ka thënë se përveç hetimeve nga prokuroria, nevojitet edhe një hetim parlamentare për të parë nga afër se sa janë respektuar ligjet dhe procedurat në blerjen e rezervave shtetërore.

“Po jetojmë në një kohë kur kriza po e mbulon krizën; kur dështimi po mbulon dështimin; kur shkelja e Kushtetutës po e mbulon shkeljen paraprake të Kushtetutës. Keqpërdorimet dhe abuzimet eventuale me rezervat shtetërore pikërisht me produktetet esenciale kërkojnë qasje serioze hetimore dhe përmbajtjesore. Në emër të grupit parlamentar të LDK-së, në mbledhjen e parë të sesionit vjeshtor të parlamentit do të kërkojë të formohet një komision hetimor për të hetuar keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore” – ka thënë ai në një konferencë për media.

Në këtë komision hetimor parlamentar, Gashi tha se duhet kuptuar se çka dhe përse rezervat shtetërore po konsiderohen sekret.

“Duhet të kuptojmë të vërtetën se si janë menaxhuar rezervat shtetërore, të kuptojmë se cila procedura janë ndjekur, se a janë hapur tender nëse po si ka shku, nëse jo, pse jo dhe nëse këto kontrata janë klasifikuar si sekrete, cila është forma që është ndjekur për ti vlerësuar si sekrete si dhe pse janë klasifikuar sit ë tilla dhe çka është konsideruar sekret, produkti, çmimi, personat e involvuar, kontratat apo sekreti është i vlefshëm vetëm për qytetarët dhe e gjitha është një aferë”- ka thënë Gashi.

Në media javëve të fundit janë publikuar audio-incizime të cilat pretendohen se janë zhvilluar nga zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, të cilët flasin për rezervat shtetërore, duke pretenduar se malli është paguar por nuk ka ardhur.