Foto: Facebook/LDK.

LDK: Nga skandalet e partisë në pushtet qytetarët janë harruar

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e kryesisë gjatë së cilës u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend.

Përmes një njoftimi, LDK dënon edhe një herë pamjet, siç i ka quajtuar, të shëmtuara të dhunës në Kuvendin e Kosovës dhe refuzon dhunën si mjet. Po ashtu, partia e drejtuar nga Lumir Abdixhiku ka kërkuar përgjegjësi politike nga LVV pas “skandalit të përgjimeve”, ku është përfshirë kryetarja e grupit parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari- Lila.

LDK thotë se se vëmendja duhet të kthehet në normalizimin e situatës në veri dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“LDK kërkon përgjegjësi politike për skandalin e publikuar të përgjimeve ku pushteti dhe eksponentë të lartë të tij kanë komunikuar me kriminel që janë në listën e zezë të SHBA-ve dhe tendencat e tyre për ndërhyrje në procesin e drejtësisë si dhe përgjegjësi lidhur me arrestimet e njerëzve të pushtetit të dyshuar për korrupsion”-thuhet në njoftim.

Partia opozitare thotë se qytetarët janë harruar dhe kërkon që vëmendja e institucioneve të Kosovës të kthehet te sfidat e tyre të përditshme.

“LDK do të vazhdojë konsultimet me grupe të ndryshme shoqërore në kuadër të nismës drejt rrugës së re; në ndërtimin e masës kritike për ruajtjen e demokracisë, mendimin e lirë e orientimin euroatlantik, si projekt i pandryshueshëm i Republikës. Kosova duhet të kthehet në binarët e saj, prej ku pushteti populist e ka larguar duke e futur vendin në sanksione për tu zmbrapsur pastaj në pikën që LDK ka insistuar në vazhdimësi”-thuhet në njoftimin e LDK-së.

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës, disa deputetët të PDK-së janë përleshur fizikisht me anëtarë të kabinetit qeveritar.