LDK: Kryeministri nuk reflektoi, mocioni me 46 nënshkrime u dorëzua

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka bërë të ditur se sot ka dorëzuar kërkesën për mocion të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.

Sipas tyre pasi që Kurti nuk morri parasysh ‘ultimatumin’ për heqjen e taksës dhe tërheqjen e vendimit për shkarkimin e ministrit Veliu, LDK ka mbledhur 46 nënshkrime për mocion.

“Përkundër vendimit të Kryesisë së LDK-së, kryetari Mustafa i ka dhënë një mundësi shtesë Kryeministrit Kurti që të reflektojë sot në heqjen e plotë dhe pa kushte të tarifës si dhe ta kthejë në detyrë ministrin Veliu, me kërkim falje për veprimin e ulët ndaj tij. Por, Kryeministri nuk reflektoi. Prandaj, sot në fund të orarit të punës, LDK ka dorëzuar kërkesën për mocion të mosbesimit me 46 nënshkrime”, thuhet në postimin e LDK-së në facebook.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe protestat e qytetarëve përmes ballkoneve, kundër rënies së Qeverisë në krye me Albin Kurtin.

Duke publikuar dy komunikimet e fundit zyrtare me Kurtin, ai ka thënë se pret edhe sot që kryeministri Kurti ta heq tarifën dhe ta anulojë vendimin për shkarkimin e Agim Veliut nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, dhe të kërkojë falje.

“Edhe sot përulem para popullit tim dhe kërkoj mirëkuptim nga partia ime. Pres edhe sot që zoti Kurti ta heq tarifën, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Që atij dhe LDK-së t’i kërkojë falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, thuhet në shkrimin e tij në Facebook.

Mirëpo këtë ofertë të fundit të Mustafës nuk e ka komentuar Kurti, ai sot përmes një postimi ka njoftuar se së shpejti tarifën do ta zëvendësojë me reciprocitet.

Kjo ‘prishje’ e koalicionit vie pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut si dhe pas mospajtimeve për taksën.