LDK konsideron se 1 shtatori e gjeti Kosovën të papërgatitur për fillimin e vitit të ri shkollor
Më 1 shtator, ditën kur nisi viti i ri shkollor, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shfaqur mospajtime në lidhje me nivelin e investimeve në arsim dhe për mënyrën e subvencionimit të teksteve shkollore.
Deputetja Jehona Lushaku, përmes një konference për media, tha se ky vit shkollor “nuk na gjen të përgatitur”.
“Sot më 1 shtator, i gjen edhe mësimdhënësit pa mbështetje, pa stimulim për të arritur më shumë me nxënësit e tyre. Nuk kanë kurrikulë digjitale, ka ngarkesa burokratike dhe paga të padinjitetshme”- tha ajo.
Poashtu, Lushaku u ankua se nuk ka asnjë reformë në arsim e as investime nga Qeveria.
“E prindërit, 1 shtatori i gjen me vështirësi në sigurimin e teksteve shkollore. Shumica e prindërve nuk i kanë marrë mjetet e mjaftueshme për të blerë librat e fëmijëve. Kostoja e blerjes së librave është shumë e lartë”- tha ajo.
Lushaku tha se ka siguruar çmimoret e librave dhe këto çmime janë shumë të larta në krahasim me ato që ndahen nga Ministria e Arsimit.
“80 euro ndahen nga MASHT-i, ndërsa çmimi i librave bazë arrin deri në 130 euro”- tha ajo.
Ndërsa, drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, tha se e vetmja dritë që është parë në arsim këto vite është mësimi tërëditor në Prishtinë.
“Këtë vit kemi pilotuar mësimin tërëditor në Kishnicë dhe Barilevë” – tha ai.
Sot me 01.09.2025 në Kosovë ka nisur viti i ri shkollor. Vetëm në kryeqytet, 37,667 nxënës kanë nisur mësimin në 64 shkolla.
Arbërie Nagavci, ministrja në detyrë e Arsimit, ka uruar nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor 2025/2026.
“Sot nis një udhëtim i ri i dijes, i mbushur me sfida dhe mundësi të reja për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit tanë. Ky është momenti kur fëmijët kthehen me buzëqeshje në bankat shkollore, të etur për të mësuar, për t’u rritur dhe për të realizuar ëndrrat e tyre.” – ka shkruar Nagavci në Facebook.
Në anën tjetër, ky është viti i tretë që Ministria e Arsimit aplikon metodën e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore përmes prindërve.
Këtë vit janë duke u ndarë nga 80 euro për nxënësit e klasave 1 – 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, si dhe 80 euro për nxënësit e klasave 6 – 9 për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.
Nagavci kishte njoftuar më 21.08.2025 se janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime për subvencionimin e blerjes së teksteve shkollore.
Në Komunë të Prishtinës përveç pesë shkollave që nisën mësimin tërëditor vitin e kaluar, këtë vit do të shtohen edhe shtatë tjera që ndodhen edhe në fshatra të kryeqytetit.
Shkollat në të cilat ka nisur mësimi tërëditor këtë vit shkollor janë: “Zenel Hajdini” në Prishtinë, “Ditët e Minatorit” në Kishnicë (model i plotë për klasat 1–9), “Ganimete Terbeshi” në Llukar, “Pjetër Bogdani” – Prishtinë, “Avni Rrustemi” në Mramur, “Teuta” në Grashticë dhe “Ali Kelmendi” në Barilevë.