LDK-ja thërret Kuvend të ri zgjedhor

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se ka thirrur Kuvend të ri zgjedhor, i cili do të mbahet më 19 nëntor 2023.

Përmes një postimi në Facebook, LDK-ja ka bërë të ditur se ka mbajtur takim me kryetarët e degëve të LDK-së, trupat e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe ekipin për mërgatë, në të cilin temë kryesore ishte organizimi i brendshëm partiak.

“Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas të gjitha konsultimeve dhe në bazë të Statutit, ka thirrur Kuvendin e LDK-së dhe anëtarësinë në Konventën Programore, më datë 19 nëntor 2023 (e diel). Kryetari Abdixhiku shprehu mirënjohje për të gjitha degët që me përkushtim janë angazhuar dhe zgjedhjet në LDK i kanë bërë festë”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, gjatë këtyre muajve, thuhet se janë angazhuar mbi 35 mijë anëtarë në gjithë këtë proces, që besojnë në vizionin e LDK-së e në projektin “Rruga e Re”.

Po sipas njoftimit, në ditët në vijim LDK do të mbyllë procesin zgjedhor dhe në degët e mbetura dhe do të kulmojë në Kuvendin e LDK-së.

Mbajtjen e kuvendit të ri zgjedhor të LDK-së e bëri të ditur edhe kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

“Në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas kompetencave të përcaktuara me nenin 17 të Statutit të LDK-së, thërras Kuvendin X Zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës me datë 19 nëntor 2023. Në po të njëjtën ditë, në ngjarjen vijuese, thërras anëtarësinë tonë në ngjarjen e madhe të Konventës Programore ‘Rruga e Re’”- ka shkruar ai në Facebook.

Lumir Abdixhiku ishte zgjedhur kryetar i LDK-së më 14 mars të vitit 2021.