Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL

Lajçak takohet me Petkoviqin, paralajmëron takim në nivel negociatorësh në Bruksel

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar një takim me kryenegociatorin e Serbisë në dialog, Petar Pekoviq, me të cilin tha se ka pasur “një diskutim të thellë”.

Lajçak tha se me Petkoviqin ka folur “rreth një sërë dosjesh konkrete të dialogut”, teksa gjithashtu paralajmëroi një takim të kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

“Pata një diskutim të thellë me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Pekoviq rreth një sërë dosjesh konkrete të dialogut. Folëm edhe për mundësitë e një takimi të ardhshëm të kryenegociatorëve në Bruksel”- ka shkruar emisari në platformën X.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesi i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë takuar sot në Beograd.

Sipas Vuçiqit, themelimi i Asociacionit dhe mbajtja e zgjedhjeve në komunat në veri kanë qenë ndër temat kryesore të takimit.

“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Europian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”- ka shkruar Vuçiq në profilin e tij në “Instagram”.

Pas takimit me Vuçiqin, Lajçak do të qëndrojë nesër (e martë) në Kosovë.

Detajet e agjendës së takimit nuk janë bërë ende të ditura.

Qytetarët e 4 komunave në veri përmes nënshkrimeve të tyre po kërkojnë që të shkarkohen katër kryetarët e komunave, të cilët janë shqiptarë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar numrin e nënshkrimeve që duhet për të iniciuar shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.