Miroslav Lajcak - Foto: Fatrion Ibrahimi

Lajçak përsërit tri kërkesat e BE-së për Kurtin dhe Vuçiqin, nuk përmend policët e kidnapuar

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka bërë të ditur se BE në takimin e fundit të mbajtur në Bruksel ka prezantuar tri kërkesat për palët.

Sipas tij, synimi i Bashkimi Evropian ishte të gjendet një rrugëdalje nga situata në veri të Kosovës, e cila, sipas tij, vazhdon të jetë shumë e tensionuar.

“Në emër të BE-së, pritshmëritë tona të qarta i prezantuam të dyja palëve, të fokusuara në 3 elementë:  depërshkallëzimi, zgjedhje të reja në veri, kthim në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”- ka shkruar ai në Facebook.

Lajcak në postimin e ku ka dhënë detaje për takimet e kësaj jave dhe kërkesat për Kosovën dhe Serbinë, nuk ka përmendur fare kërkesën për lirimin e zyrtarëve policorë që po mbahen në paraburgim në Serbi.

Lajçak ka shtuar se në ditët në vijim do të qëndrojnë në kontakt të ngushtë me të dyja palët, ndërsa do të ndjekin nga afër zhvillimet në terren.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, tha se situata në veri është e paparanushme dhe nuk duhet të vazhdojë.

Ai shtoi se patën kërkesa për palët. Nga Kosova kërkuan që menjëherë të pezullojë operacionet në afërsi me objektet komunale dhe që katër kryetarët që përkohësisht të tërhiqen nga objektet komunale.

“I kam theksuar presidentit Vuçiq që tre policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte” – tha ai.

Zgjedhjet e parakohshme në veri janë opsion që po pranohet edhe nga vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por me kusht që ato të mbahen ashtu siç e parasheh ligji i vendit.

I pari i qeverisë tha se nga ana e tij pati gatishmëri që të ketë takim trelateral, por që nga pala tjetër nuk erdhi diçka e njëjtë.

Që nga 26 maji, qytetarët serb janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023, nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Gjatë protestave me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe protestuesve mbetën të lënduar. Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.