Lajçak për takimin me Kurtin: Patëm diskutim të dobishëm për situatën në veri

Kryeministri Albin Kurti është takuar me emisarin për dialog nga Bashkimi Evropian, Mirosllav Lajçak, në Greqi, gjatë qëndrimit të tij atje, në kuadër të Simpoziumit SYMI.

Lajçak përmes një postimi në Twitter ka theksuar se me Kurtin ka pasur diskutim të dobishëm për situatën në veri, rrugën drejt shtensionimit dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut.

“Në Simpoziumin e Symit të këtij viti, pata një diskutim të dobishëm me Kryeministrin Albin Kurti për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe rrugën përpara drejt shtensionimit dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të dialogut” – ka shkruar Lajçak.

Kurti dje ka bërë të ditur se me Lajçak kanë biseduar për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Pata një bisedë të gjatë me emisarin Mirosllav Lajçak në margjinat e Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë”- ka shkruar Kurti.

Kurti takon Lajçakun në Greqi: Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë

Të hënën e kaluar Lajçak dhe Bislimi njoftuan se janë dakorduar për hapat për shtendosjen e situatës në veri të vendit.

Hapat e dakorduar janë: zvogëlimi i menjëhershëm i prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimi i vazhdueshëm i gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosja e bazës së nevojshme ligjore.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë.

Për të kundërshtuar këtë, serbët lokalë kanë mbajtur protesta. Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.