Kurti takon Lajçakun në Greqi: Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë

Kryeministri Albin Kurti është takuar me emisarin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, në Greqi, gjatë qëndrimit të tij atje, në kuadër të Simpoziumit SYMI.

Përmes një postimi në Twitter, Kurti tha se me Lajçak kanë biseduar për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Pata një bisedë të gjatë me emisarin Mirosllav Lajçak në margjinat e Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë”- ka shkruar Kurti.

Të hënën e kaluar Lajçak dhe Bislimi njoftuan se janë dakorduar për hapat për shtendosjen e situatës në veri të vendit.

Hapat e dakorduar janë: zvogëlimi i menjëhershëm i prezencës së Policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale, vlerësimi i vazhdueshëm i gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosja e bazës së nevojshme ligjore.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë.

Për të kundërshtuar këtë, serbët lokalë kanë mbajtur protesta. Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it.