Lajçak paralajmëron takime me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi ka paralajmëruar se do të ftoj kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në takim së shpejti. 

Ai në një postim në Facebook ka folur për takimet e ndara që ndodhën më 26 tetor 2023 në Bruksel në mes udhëheqësve europian me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe . 

Këto takime nuk sollën ndonjë rezultat, pasi sipas Qeverisë së Kosovës, Vuçiq refuzoi të nënshkruante marrëveshjet.

“Ideja ishte e thjeshtë – për të vazhduar diskutimet tona fundjavën e kaluar gjatë misionit tonë të përbashkët në Prishtinë dhe Beograd dhe për të avancuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Ato që ishin planifikuar të ishin takime të shkurtra me liderët evropianë, u kthyen në negociata të gjata të ndara me presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Kurti pasi liderët evropianë duhej të largoheshin për në Këshill” – tha Lajçak për këto takime. 

Ai tutje tha se e mirëpret që të dy liderët treguan gatishmëri për zbatimin e Marrëveshjes, megjithëse nuk arritën të bien dakord për modalitetet. 

Lajçak tha se fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa dhe sipas tij siç u shprehën qartë tre liderët europianë, formalitetet nuk duhet të pengojnë këtë proces të rëndësishëm. 

“Me këtë në mendje, unë do të ftoj kryenegociatorët së shpejti në Bruksel për të diskutuar hapat e ardhshëm” – tha përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Lajçak shtoi se Kurti e Vuçiq kishin komente dhe pyetje për propozimin europian për statutin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, të cilin ai tha se ua kanë paraqitur gjatë misionit tonë të përbashkët të shtunën e kaluar. 

“Shpresoj se do të jemi në gjendje të sqarojmë pyetjet dhe shqetësimet e hapura në javët në vijim.  Statuti ynë propozon një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane dhe nuk i kalon kufijtë e kuq të Palëve siç janë përcaktuar më parë” – tha tutje përfaqësuesi. 

I njëjti shtoi se ky ky nuk është i vetmi element që ka nevojë për zbatim dhe se edhe Serbia ka shumë obligime të pazgjidhura nga Marrëveshja dhe se duhet të shohin që zbatimi të përparojë paralelisht, në mënyrë që edhe Kosova edhe Serbia të marrin atë që kanë rënë dakord.