Lajçak: Do të fokusohem plotësisht në gjetjen e një rruge përpara

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka thënë se sulmi i djeshëm është një akt frikacak i dhunës dhe në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit.

“Me t’u kthyer nga Nju Jorku këtë mëngjes, më takoi lajmi tronditës për një sulm ndaj policëve të Kosovës në veri të Kosovës. Një akt i tillë frikacak i dhunës është thellësisht shqetësues dhe është në kundërshtim me vetë parimet e paqes dhe bashkëpunimit. Zemra ime është për viktimat, familjet, miqtë dhe kolegët e tyre”- ka shkruar Lajçak në Facebook.

Emisari thotë se ky sulm thekson domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues.

“Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, nënvizuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork”- thotë ai.

Lajçak thekson se për të gjetur një rrugë përpara në rajon dhe në veçanti në dialog, ka mbajtur diskutime strategjike me partnerët amerikanë.

“Në ditët në vijim, do të fokusohem plotësisht në gjetjen e një rruge përpara”- shton ai.

Një grup terrorist fillimisht vrau një polic kufitar e plagosi një tjetër, të dielën në orët e hershme të mëngjesit.

Më pas të njëjtit ishin vendosur në manastirin e Banjskës për të nisur më pas edhe sulmin ndaj forcave speciale të Policisë së Kosovës.

Këtyre sulmeve iu ishte kundërpërgjigjur policia.

Ngjarjet që u zhvilluan mbrëmë e që zgjatën me orë të tëra u përcollën me vëmendje nga vendore e ndërkombëtare.

Misioni i KFOR-it që gjatë gjithë ditës së djeshme ishte në terren, është parë në monitorim edhe gjatë ditës së sotme.

Me automjete të rënda siç janë edhe autoblindat ata po vazhdojnë të monitorojnë situatën edhe sot.

KALLXO.com mëson se Policia edhe gjatë ditës së sotme po vazhdon që të kontrollojë zonën në të cilën fillimisht kishin marrë nën kontroll grupi terrorist e më pas shumica e tyre ishin arratisur gjatë ditës pas ndërhyrjes së policisë.

Një sasi e madhe e armatimit të lehtë e të rëndë është konfiskuar mbrëmjen e kaluar në zonën ku ishin vendosur grupi terrorist.

Ekipi i KALLXO.com po qëndron edhe sot në veri të vendit për të sjellë zhvillimet nga atje.

Krejt çka ndodhi dje në veri