U.D. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani

Lajçak dhe Palmer pasdite takohen me presidenten Osmani

Emisari  i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të ShBA-së, Matthew Palmer, gjatë vizitës që do të nisin sot në Kosovë, pasdite do të takojnë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.

Kështu kanë konfirmuar për KALLXO.com nga Presidenca e Kosovës, duke bërë të ditur se takimet do të nisin rreth orës 15:30.

Por këto takime të presidentes me zyrtarët ndërkombëtarë sot do të mbahen pa prezencën e mediave.

Ndërkaq, është paralajmëruar se Lajçak dhe Palmer do t’u adresohen mediave të martën.

Ata do të takohen edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe përfaqësues të subjekteve politike në Kosovë.

Vizita e zyrtarit evropian dhe atij amerikan në Kosovë, do të bëhet rreth rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi dhe takimit të paralajmëruar muajin e ardhshëm mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.