Lajçak bisedon në telefon me Osmanin, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

I dërguari special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot ka zhvilluar një bisedë telefonike më kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin.

Siç ka njoftuar Lajçak në një postim në Twitter, bisedën me Osmanin e ka cilësuar si shumë të dobishme.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se me Osmanin kanë biseduar për dialogun Kosovë-Serbi si dhe për situatën politike në vend.

“Shumë e dobishme telefonata që e pata me kryetaren e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmanin. Diskutuam për situatën aktuale politike në Kosovë dhe përgatitjet për rifillimin e Dialogut të lehtësuar nga BE sa më shpejt që të jetë e mundur. U pajtuan për rëndësinë e afrimit të perspektivës së BE-së me njerëzit e Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Lajçak.

Lajçak edhe para një muaji kishte zhvilluar një bisedë telefonike me Osmanin.

Lajçak bisedon me Vjosa Osmanin, Lutfi Hazirin dhe Fatmir Limajn

Lajçak u emërua si emisar i BE për Dialog më 3 prill dhe ka mandat prej 12 muajsh.

Dialogu Kosovë – Serbi është ndërprerë pasi që Kosova vuri tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe në vitin 2018, kurse Qeveria në detyrë e Kosovës më 1 prill e largoi këtë tarifë.