Seanca e Kuvendit më 11 qershor 2021, Foto: KALLXO.com

Kuvendi pa kuorum, nuk hidhet në votim rezoluta e LDK-së lidhur me rritjen e çmimeve

Në mungesë kuorumi Kuvendi i Kosovës nuk e ka hedhur në votim rezolutën e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) lidhur me rritjen e çmimeve.

Pak para përfundimit të seancës se jashtëzakonshme, ku është debatuar lidhur me rritjen çmimeve, në Kuvend është vërejtur mungesa e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Prezent në sallë nga shumica parlamentare e LVV-së ishte deputeti Armend Muja dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Lidhur me mungesën e tyre, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, tha se grupi më i madh parlamentar në mënyrë të organizuar e ka lëshuar sallën.

“E nderuara ministre, kam qenë pjesë e tri qeverive, jam ndjerë ndonjëherë e vetmuar por asnjëherë në pozitën që jeni ju sot, e vetme nga krejt kabineti dhe nuk keni mbështetjen e asnjë deputeti, të grupit parlamentar që ka 58 deputetë. Grupi më i madh parlamentar në mënyrë të organizuar e lëshoi sallën, këta janë pro rritjes së çmimeve dhe janë kundër çdo mase që është në ndihmë të qytetarëve dhe bizneseve, përndryshe nuk ka se si të shpjegohet mungesa e tyre”, tha Bajrami duke iu drejtuar ministres Hajdari.

Ndërsa kryesuesi i seancës, deputeti Enver Hoxhaj, tha se fjala mungesë është jo e plotë për të treguar mungesën e shumicës parlamentare.

“Meqë jemi në fund të këtij debati parlamentar dhe fjala mungesë është jo e plotë me tregu mungesën e shumicës parlamentare, mendoj që Kryesia e Kuvendit apo një seancë e radhës duhet të vendosë se kur do të duhet ta votojmë këtë projekt-rezolutë si Kuvend i Kosovës. Shihemi nesër ne orën 10:00”, tha Hoxhaj.

Rezoluta përmban këto pika:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës që të aktivizojë Inspektoratin e Tregut kundër abuzimit me çmime.
  2. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës që të fuksionalizojë autoritetin kosovar të konkurrencës dhe të fillojë hetimet për marrëveshjet e mundshme kartel.
  3. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës të përgatitë një pako fiskale që redukton ose largon tërësisht akcizën dhe zvogëlon TVSH-në për naftë për tre muajt e ardhshëm. Ky reduktim i përkohshëm duhet të ketë për qëllim jo vetëm për bujqit por edhe për qytetarët, transportuesit në vend ndikimi i të cilëve për produkte e shërbime të tjera është tejet i lartë.
  4. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës që të përgatitë një pako ekonomike që të ju dal në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve. Nëse nuk ka mjete buxhetore të bëhet rishikimi i buxhetit sa më parë.
  5. Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës  që të asistojë furnitorët tanë në sigurimin e rezervave afatgjatë, në kohë si këto relacionet ndërkombëtare janë tejet esenciale.
  6. Kuvendi i Kosovës i kërkon Qeverisë së Kosovës që të ofrojë një plan afatgjatë të pa përballueshmerisë.

Kuvendi i Kosovës nesër (e mërkurë) në ora 10:00 vazhdimon me seancat plenare të papërfunduara.