Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi miraton projektligjin për ratifikimin e këmbimit të Notave Diplomatike

Me 83 vota, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e këmbimit të Notave Diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti sipas Aktit për ndihmë të jashtme të vitit 1961 dhe Aktit për kontroll të shitjeve të armëve mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj tha se ky projektligj është më rëndësi për thellimin e bashkëpunimit me partnerët.

“Këtë marrëveshje Kosova e ka pranuar me 2 gusht. Projektligji ka për qëllim të rregulloj aspektin ligjor rreth të drejtave dhe detyrimeve të përdorimit të pajisjeve që kanë palët të autorizuara sipas këtij legjislacioni”, ka thënë Mehaj.

Bekë Berisha deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe kryetar i Komisionit për Çështje të Sigurisë tha se marrëveshja i përmbush të gjitha kriteret për miratim në Kuvend.

Abelard Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, tha se e përkrahin këtë marrëveshje. Por ka kërkuar qartësim se pse kjo notë diplomatike ka ardhur në Kuvend për ratifikim.

“Është hera e parë që Kuvendi i Kosovës ratifikon nota diplomatike. Kjo notë diplomatike do të duhej të nënshkruhej dhe të kthehet nga ministrja e Punëve të Jashtme, sepse nuk ka karakter të marrëveshjes ndërkombëtare…. Pse po ratifikohet në Kuvend. A nuk po ju besojnë juve si qeveri me kthye notën diplomatike qysh e kthejnë krejt shtetet e tjera”, tha Tahiri duke treguar se është e pa qartë për të dhe grupin e PDK-së ratifikimi në Kuvend.

Edhe nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë kërkuar qartësim se përse kjo notë trajtohet në parlament.

“Po flasim për një çështje tjetër për një praktikë të re. Nota diplomatike i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme e njëjta gjë ka ndodhur edhe në regjion. Ne jemi të vetmit që kësaj note verbale i përgjigjemi me projektligj. Pse ne këtë çështje e trajtojmë në parlament, kur është nënkuptuar që nota verbale do të kthehej nga Ministria e Punëve të Jashtme”, ka thënë Anton Quni.

“Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës e mbështet këtë ligj”, tha shkurt shefi i parlamentarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.