Kuvendi mban nesër seancë të jashtëzakonshme lidhur me çmimin e rrymës

Kuvendi i Kosovës pritet të nisë sesionin pranveror me seancë të jashtëzakonshme nesër.

Sipas njoftimit, deputetët do të mblidhen në ora 10:00 për të shqyrtuar propozim-rezolutën në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorët.

Vendimi për seancën e jashtëzakonshme është marrë të hënën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Ndërsa, kërkesa për këtë debat ka ardhur nga Partia Demokratike e Kosovës.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë tha se aktualisht nuk ka temë me të rëndësishme se kjo.

“Sot filloi sesioni i ri pranveror parlamentar dhe ne si PDK me mbështetjen e 40 deputetëve kemi thirrur një seancë të jashtëzakonshme për çmimin e energjisë elektrike në vend. Nuk ka temë me të rëndësishme. Ju i dini shqetësimet e mëdha që kanë ngritur qytetarët. Ne sot kemi kanalizuar këtë kërkesë dhe sesionin pranveror do të fillojmë më këtë seancë dhe kemi propozuar rezolutë për uljen e çmimit të energjisë elektrike”- tha ai.

Pas reagimeve të shumta të qytetarëve për çmime të larta të faturave të energjisë, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka deklaruar se nuk ka rritje të tarifave fundore por, sipas tyre, vlera në faturë u ka ardhur e lartë konsumatorëve për shkak se kanë shpenzuar duke u ngrohur me rrymë.