Foto: VOA

Kuvendi i Shqipërisë i ndërpret mandatin deputetit Arben Ahmetajt

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri bëri të ditur të mërkurën se Kuvendi ka njoftuar për ‘krijim vakance’ dhe ndërprerje të mandatit për deputetin socialist, Arben Ahmetaj i shpallur në kërkim nga drejtësia për aferën e inceneratorëve.

Kuvendi njofton mbarimin përpara afatit kushtetues të mandatit, “për shkak të mungesës së tij pa arsye për mbi 6 muaj rresht në Kuvend”. “Kjo për arsye se seanca e fundit plenare ku deputeti Arben Ahmetaj ka marrë pjesë është data 6 korrik 2023”- thuhet në shkresën e Kuvendit për KQZ-në.

Ahmetaj ka një karrierë të gjatë në Partinë Socialiste dhe ka shërbyer si ministër i Financave, Rindërtimit dhe si zëvendëskryeministër në qeverinë e drejtuar nga Edi Rama.

Emri i tij u përfshi në hetimet për dhënien nga qeveria të 3 kontratave qindra-milionë euro për ndërtimin e inceneratorëve, një hetim që ka çuar pas hekurave disa zyrtarë të tjerë të lartë, një ish-ministër dhe një ish-deputet të PS-së.

Prokuroria e Posaçme (SPAK) kërkoi arrestimin e tij dhe Kuvendi e miratoi kërkesën më 14 korrik 2022, por Ahmetaj iu shmang përballjes me drejtësinë dhe ndodhet jashtë Shqipërisë.

Ai ka pasur një karrierë të gjatë politike me PS-në dhe ka shërbyer si zëvendëskryeministër dhe ministër në disa pozicione kyçe të qeverisë socialiste nga 2013 deri 2022 nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

Hetimi i prokurorisë kundër ish numrit dy të qeverisë “Rama” zbuloi prona dhe investime të padeklaruara të tij në dy dekada si dhe pagesa të tërthorta të marra nga biznesmenët e inceneratorëve me vlerë 491 mijë euro si dhe një vilë në Hamallaj.

Pas njoftimit për vakancën, KQZ pritet të marrë vendim për zëvendësimin e Ahmetajt nga lista shumëemërore e Partisë Socialiste.