Kuvendi i Shqipërisë

Kuvendi i Shqipërisë nis sesionin e ri me tensione, anulohet fjalimi i presidentit Begaj

Sesioni i ri pranveror i Kuvendit të Shqipërisë filloi të hënën aty ku kishte mbetur në atë vjeshtor me plot tensione, me deputetët e opozitës që u përpoqën t’i pengonin punimet duke ia pamundësuar një fjalim përshëndetës presidentit të vendit, Bajram Begaj.

Ata e bllokuan foltoren e Kuvendit kur Begaj po përgatitej ta mbante fjalimin, duke e akuzuar atë se është “vartës i hapur” i Qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Kjo e shtyu kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla ta anulojë fjalimin e Begajt, duke thënë: “I kërkojmë ndjesë presidentit të Republikës, për shkak të situatës së krijuar nga deputetët e opozitës pamundësohet që qytetarët të ndjekin fjalën e tij nga Kuvendi”.

Të pranishëm në sallën e Kuvendit ishin edhe ambasadorë të akredituar në Tiranë.

Midis tensioneve, Nikolla i hodhi menjëherë në votim dekretet e lëshuara nga presidenti në lidhje me ndryshimet në Qeverinë Rama.

Kreu i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha pas seancës se prania e presidentit Begaj në të ishte “provokim”.

“Presidenti nuk ka ardhur në sesionet e tjera për t’iu drejtuar ligjvënësve dhe qytetarëve në seancën hapëse. Ky akt ishte një provokim i ulët i presidentit të Republikës. I bëj thirrje të heqë dorë nga sjellja e tij si palë, si vartës i shumicës dhe të respektojë kolltukun ku është ulur. Nëse presidenti dëshiron të dalë hapur si vartës i Edi Ramës, atëherë do trajtohet si i tillë”, tha Bardhi.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili bashkë me deputetët e tij mbështetës nuk iu bashkuan protestës së dy grupeve të tjera brenda kësaj partie, i kërkoi presidentit t’i zhbëjë ndryshimet në komisionet hetimore.

“Kam një thirrje për presidentin e Republikës, të kthejë mbrapsht ndryshimet e njëanshme të ligjit për komisionet hetimore, si dhe të zhbëhen ndryshimet e njëanshme të rregullores”, tha Basha.

Më vonë gjatë ditës, presidenti Bajram Begaj lëshoi një deklaratë nga zyra e Presidencës. Ai sqaroi se kishte zgjedhur t’u drejtohej dy palëve në Kuvend në nisje e sesionit pranveror dhe shprehu keqardhje që kjo nuk ndodhi për shkak të tensioneve në Kuvend.

“Qytetarët presin t’ju shohin duke punuar së bashku. Gjeni forcën dhe guximin për ta bërë Shqipërinë një vend të së drejtës. Salla e Kuvendit nuk duhet të jetë një arenë lufte”, tha Begaj.

Votimi i ndryshimeve në Qeverinë Rama

Me gjithë tensionet, Kuvendi votoi për t’i miratuar ndryshimet në Qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

Me shumicë votash Blendi Gonxhe u konfirmuar në postin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë.

Ky ndryshim në qeveri solli edhe shkarkimin e Elva Margaritit si ministre e Kulturës, ndërsa Ervin Mete do të jetë vetëm ministër i Financave, pasi Ekonomia bashkohet me Kulturën dhe Inovacionin.

Qeverisë i shtohet edhe një ministri e re, ajo për Administratën dhe Anti-Korrupsionin që do të drejtohet nga Adea Pirdeni, e cila deri tani ka qenë zëvendësministre e Drejtësisë.

Në Kuvend u betua edhe deputeti më i ri i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca. Ai merr mandatin e Arben Ahmetajt, i cili e humbi atë pas mungesës prej gjashtë muajsh në Kuvend.

Ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë Ahmetaj akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim e fshehje të pasurisë./ REL