Seanca përkujtimore në nderim të ish-kongresistit amerikan Eliot Engel.
Kuvendi e nderon Eliot Engel me seancë përkujtimore
Kuvendi i Kosovës e ka nderuar ish-kongresistin amerikan Eliot Engel me një seancë përkujtimore të mbajtur më 24.04.2026. Gjatë kësaj seance, ku në ballë qëndronte fotografia e tij, krerët e shtetit dhe përfaqësuesit e popullit vlerësuan lart kontributin dhe figurën e tij.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në fjalën e saj në Kuvend, ngriti lartë virtytet njerëzore të Engelit dhe rikujtoi ndihmën që ia dha ai popullit të Kosovës në kohët më të vështira për vendin.
“Sot në këtë seancë solemne kujtojmë dhe nderojmë një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Sot e kujtojmë dhe nderojmë mikun besnik dhe ligjvënësin e drejtë amerikan, i cili në ditët më të vështira të historisë tonë të re, bashkë edhe me shumë kongresistë dhe senatorë të tjerë amerikan ngriti zërin fuqishëm kundër shkeljes të drejtave tona, represionit dhe presekutimit nga regjimi serbo-jugosllav” – tha Haxhiu nga foltorja e Kuvendit më 24.04.2026.
Haxhiu kujtoi rastet kur ish-kongresmeni bëri përpjekjet e tij për ta ndihmuar Kosovën, qoftë në Kongresin amerikan por edhe jashtë tij.
“Edhe në periudhat kur rruga jonë ishte e vështirë dhe sfidat ishin shumë të mëdha, zëri i tij mbeti i pandryshuar”- shtoi ajo, duke shtuar se nuk nuk ishte angazhim diplomatik i zakonshëm por besnikësi ndaj miqësie të përzemërt.
Pas saj, kryeministri Albin Kurti citoi një paragraf të thënë nga Engel, duke thënë se ishte një qëndrim i prerë dhe i guximshëm kundër krimeve të tmerrshme, pastrimit etenik dhe gjenocidit që po kryente Serbia në Kosovë.
“Unë besoj që zgjidhja e vetme për Kosovën është Pavarësia. Më lejoni të ju tregojë se i them Kosov-A (e thekson zëshëm shkronjën A në fund), sepse 90% e njerzve që jetojnë aty i thojnë Kosova. Prandaj po e përdorë A-në. Pavarësia dhe Vetëvendosja është e vetmja zgjidhje afatgjatë. Shqiptarët e Kosovës kurrë nuk do të trajtohen drejt nën Serbi dhe kjo është dëshmuar sa e sa herë. Mendoj që politika jonë është mjaft e mangët sepse për aq kohë sa e shohim Millosheviqin si pjesë të zgjidhjes, pa e kuptuar që ai është problemi e jo zgjidhja, me çfarëdo që ne që dalim e që përfshijnë atë, është e destinuar të dështojë”- citoi Kurti fjalimin e Engelit që e kishte dhënë në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare më 10.02.1999.
Kurti tha se qysh herët Engel ishte i bindur që një ditë do të kishte një Republikës të Kosovës – qysh atëherë kur hapi zyrën informuese të SHBA-së në Prishtinë në qershor 1996 – objekt të cilin e që e kishte quajtur ambasadë të parë të popullit amerikan në Kosovë.
“Këtë e tregoi vetë më 04.07.2019, në ditën kur preu shiritin e ndërtesës së re dhe moderne të ambasadës së SHBA-së në Kosovën e lirë dhe të pavarur”- shtoi Kurti.
Engel ka vdekur më 10.04.2026.
Ai ka qenë mbledhësi kryesor i mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, në vitin 2008.
Engel kishte hyrë në Kongres derisa Jugosllavia po ndahej dhunshëm në vija etnike. Ai ishte përfshirë në shumë mosmarrëveshje rajonale përmes pozitës së tij në Komitetin e Punëve të Jashtme, duke fituar përfundimisht reputacionin si ekspert i Ballkanit.
Ai ka qenë ndër ligjvënësit e parë amerikanë që i ka bërë thirrje administratës së Bill Clintonit të ndërhyjë, në vitin 1998, për të ndaluar veprimet e forcave jugosllave dhe serbe në Kosovë.
Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte njoftuar se ka dorëzuar zyrtarisht në Kuvendin e Kosovës një kërkesë për organizimin e një seance përkujtimore, krijimin e një çmimi vjetor dhe ngritjen e një memoriali në nder të ish-kongresistit Engel.
Sipas Haradinajt, përmes kësaj iniciative synohet që institucionet e Kosovës të shprehin mirënjohjen për kontributin e Engel në mbështetje të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të vendit.
Ai ka theksuar se Engel ishte një nga zërat më të fuqishëm në momentet vendimtare të historisë së Kosovës, duke ndikuar në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e politikës amerikane në mbështetje të saj.