Mes akuzave për “puç kushtetues”, vazhdon seanca për zgjedhjen e presidentit - LAJM NË ZHVILLIM

14:56 – Shtyhet sërish seanca për zgjedhjen e presidentit

Pasi deputetët e opozitës nuk morën pjesë në vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, e shtyu atë për në ora 19:00.

Para se ta shtynte vazhdimin e seancës, Haxhiu i ka ftuar deputetët që mungonin të jenë në sallë.

“Përkundër që edhe dje edhe sot u kam bërë thirrje deputetëve të vijnë në seancë, po e shihni se deputetët nuk janë këtu. Më duhet edhe njëherë të adresoj se ata duhet të vijnë.” – tha ajo.

Haxhiu tha se nuk ka pranuar asnjë arsyetim me shkrim për arsyet e mungesës së deputetëve nga radhët e opozitës në sallë.

Ajo ka cituar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutën që 120 deputetët e kanë obligim të marrin pjesë në seancë, ashtu siç i kishte përmendur në seancën e mbajtur sot, nga ora 10:00.

Pastaj, i ka thirrur me emra secilin deputetë që mungoi në sallë dhe i luti që të marrin pjesë.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë, teksa në vazhdimin e saj morën pjesë deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes në krye me kryeministrin Albin Kurti.

14:39- Mulhaxha-Kollçaku fton opozitën të votojnë Feride Rushitin për presidente

Ish-kandidatja për presidente, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka thënë se pas tërheqjes së saj ka kënaqësinë që ta votojë Feride Rushitin për këtë pozitë.

“Ajo me vite ka pasur mbështetje edhe jashtë e politikës. Mos të harrojmë: ajo ka qenë e nominuar për çmimin Nobel. I ftoj deputetë pozitë edhe opozitë ta votojnë zonjën Feride.” – tha Mulhaxha-Kollçaku.

Ndryshe nga Mulhaxha-Kollçaku, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku i ka bërë thirrje kandidates për presidente Feride Rushitit që të tërhiqet nga kjo garë.

14:35- Hamza: PDK do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës

Pak para se të vazhdojë seanca e jashtëzakonshme për sot, më 28.04.2026, për zgjedhjen e presidentit, ka reaguar Bedri Hamza, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Sipas Hamzës, sot janë përballë një akti të rrezikshëm për të ardhmen e Kosovës.

Ai thotë se përpjekja për zgjedhjen e presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës është sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik.

“Partia Demokratike e Kosovës e kundërshton çdo tendencë politike për t’i shpërfillur procedurat kushtetuese. Ne nuk do të lejojmë që një subjekt politik ta shfrytëzojë pushtetin për të injoruar vullnetin e qytetarëve dhe për t’i dobësuar institucionet legjitime të vendit tonë.” – ka shkruar Hamza në profilin e tij në Facebook.

Hamza vlerëson se veprimet e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ua mohojnë qytetarëve të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre dhe rrezikojnë ta çojnë vendin drejt një anarkie politike, e cila mund ta destabilizojë Kosovën.

Teksa thotë se Kosova është ndërtuar mbi vlerat e lirisë, drejtësisë e barazisë, Hamza thekson se nuk do të lejojnë që këto vlera të cenohen përmes abuzimit me pushtetin apo shkeljes së Kushtetutës.

“Partia Demokratike e Kosovës do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës, institucioneve dhe shtetit të së drejtës. I bëjmë thirrje edhe qytetarëve që të jenë të vëmendshëm dhe të mos lejojnë shkelje që dëmtojnë të ardhmen e vendit. Nuk mund të ecet përpara duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet. Ne do ta mbrojmë shtetin dhe të ardhmen e tij!” – ka thënë ai.

13:43 – Çitaku i bën thirrje Rushitit: Tërhiqu nga loja antikushtetuese e Albin Kurtit

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti “gjithmonë ka treguar përbuzje ndaj të rendit kushtetues”.

Në një paraqitje para mediave, ajo ka theksuar nevojën për reagim opozitar dhe qytetar.

“Me veprimet e fundit, [Kurti] duket se i ka tejkaluar të gjithë kufijtë. Në këtë situatë, reagimi opozitar dhe qytetar është detyrim.”- tha ajo.

Sipas saj, ky reagim duhet të bëhet për të mbrojtur rendin kushtetues dhe të ardhmen e vendit.

“Ne si subjekt politik opozitar do t’i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për këtë dhe sot nga Kuvendi i Kosovës dua të apeloj te partia në pushtet që t’i ndërpresë këto veprime ‘karateje’ të dhunës politike”- tha më pas Çitaku.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së i ka bërë thirrje kandidates për presidente Feride Rushitit që të tërhiqet nga kjo garë.

“Nga zemra i bëj thirrje zonjës së nderuar Feride Rushiti që të tërhiqet nga kjo lojë politike, antikushtetuese e Albin Kurtit”- tha Çitaku.

Ajo shtoi se si PDK e çmojnë punën në shoqëri civile të Rushitit, por sot, sipas saj, Rushiti do i bënte nderë vetes nëse tërhiqet nga gara.

Çitaku tha se Kurti po bëhet rrezik për themelet e shtetit.

“Kur një kryeministër zgjedh me vetëdije të shkel Kushtetutën për pushtet të përkohshëm, ai bëhet rrezik për vet themelet e shtetit. Këto veprime janë sinjale të qarta se pushteti po vendoset mbi Kushtetutën dhe ligjet dhe këtë nuk do e lejojmë, së bashku me qytetarët do ta ndalojmë”- shtoi Çitaku.

11:53- Nagavci: S’kemi qenë në dijeni për nënshkrimet e LDK-së për presidentin

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i ka njoftuar për nënshkrimet që Lumir Abdixhiku i ka  prezantuar para mediave lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Duke komentuar zhvillimet rreth procesit, Nagavci tha se as kryeministri Albin Kurti dhe as ajo si shefe e grupit parlamentar nuk kanë qenë në dijeni për këtë nismë.

“E kemi parë dje edhe kryetarin e LDK-së që prezantoi një listë me nënshkrime, ndonëse pa një emër specifik, por e vërteta është që ato nënshkrime nuk i janë njoftuar as kryeministrit Kurti, as mua si shefe e GP-së, në mënyrë që të bashkëngjisim nënshkrimet e deputetëve tanë”, tha Nagavci.

Sipas saj, fokusi duhet të jetë gjetja e një zgjidhjeje dhe jo shkëmbimi i akuzave politike.

“Konsideroj që përtej fajësimit ose hedhjes së akuzave, e rëndësishme është të gjejmë zgjidhjen dhe ta zgjedhim presidentin”, deklaroi Nagavci.

11:44 – Bardiqi për publikimin e bisedës telefonike: “Ka qenë cenim i privatësisë”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Bardiqi, ka reaguar pasi gjatë seancës së djeshme u shpërnda një bisedë telefonike e tij, ku flitej për çështjen e presidentit.

Para mediave, Bardiqi e cilësoi publikimin e mesazhit si shkelje të privatësisë dhe tha se biseda nuk ka qenë serioze në raport me procesin e zgjedhjes së presidentit.

“Ka qenë cenim i privatësisë që është publiku mesazhi im… ka qenë bisedë mes miqsh. Nuk ka qenë serioze në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit”, tha Bardiqi.

Ai komentoi edhe pjesën e bisedës ku përmendej fjala “karate”, duke thënë se ajo ka qenë në thonjëza.

“Edhe thonjëzat kanë qenë në fjalën karate…”, deklaroi ai.

Deputeti i LVV-së kërkoi falje për debatin e shkaktuar pas publikimit të kësaj bisede.

“Unë kërkoj falje për këtë diskutim që është shkaktuar”, tha Bardiqi.

11:36- Haradinaj: Mbrëmë është shkelur Kushtetuta

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se zhvillimet e fundit në Kuvend paraqesin një situatë të paprecedentë që nga pavarësia e Kosovës, duke e cilësuar si shkelje të Kushtetutës atë që ndodhi mbrëmjen e kaluar.

“Është situatë ndryshe nga krejt zhvillimet që kemi pasur në Kosovë që pas pavarësisë. Mbrëmë është bërë shkelje e Kushtetutës. Është e rrezikshme”- deklaroi Haradinaj para mediave.

Ai u bëri thirrje akterëve politikë që të ndalen dhe të mos bëhen, siç tha ai, pjesë e një procesi të turpshëm.

“Ju bëj thirrje të ndalen. Mos të bëhet askush pjesë e këtij turpi”, tha Haradinaj.

11:26- Seanca për presidentin shtyhet për në orën 14:00

Seanca për zgjedhjen e presidentit është shtyrë për në orën 14:00. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e mori këtë vendim duke thënë se po i pret deputetët e opozitës të marrin pjesë në seancë.

Haxhiu ka thënë se ky është obligim kushtetues.

Paraprakisht, ajo tha se në këto rrethana 120 deputetët duhet të jenë në sallë.

Ajo ka sqaruar se ka pasur vetëm një njoftim për mungesë. Sipas saj, “është Afërdita Hajrizi e cila e ka pasur të pamundur për shkaqe shëndetësore.”

Në sallë ishin vetëm deputetët e koalicionit qeverisës.

11:05- Haradinaj i bën thirrje Kurtit e Haxhiut: Mos vazhdoni në drejtim të rrezikshëm

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, para vazhdimit të seancës për zgjedhjen e presidentit ka thënë se votimi pa 2/3, është shkelje e rëndë e Kushtetutës.

“Drejtim i gabuar, drejtim i rrezikshëm që ka marrë vendi. Unë edhe një herë i bëj thirrje u.d. presidentes, kryetares së Kuvendit, kryetarit të Qeverisë që të ndalen, të mos vazhdojnë në këtë drejtim të rrezikshëm”- tha Haradinaj.

Ai ka shtuar se Kushtetuta mund të mbrohet vetëm nga sovrani, e ai, sipas tij, i zgjedh mënyrat e veta, të protestave apo edhe të tjera.

“Nëse shkojnë në këtë rrugë, nuk na lënë rrugë tjetër pos të vihemi në mbrojtje të Kushtetutës”- ka thënë ai.

Kurse kryeministri, Albin Kurti tha para gazetarëve se pret që deputetët e opozitës të shkojnë për të votuar për presidentin e ri.

“Në bëjmë përpjekjet maksimale. Tash ta shohim a po vinë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin dhe të marrin pjesë”- deklaroi Kurti.

09:47- Vazhdimi i seancës për zgjedhjen e presidentit

Pas përfundimit të rundit të parë të votimit për zgjedhjen e presidentit, i cili sipas opozitës dhe një pjese të shoqërisë civile u bë me shkelje procedurale, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thirrur vazhdimin e seancës për sot, më 28 prill 2026, nga ora 10:00.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve, ndërsa në sallë ishin 65 deputetë. Zhvillimi i seancës pa kuorumin e nevojshëm në sallën plenare ka nxitur reagime të forta nga partitë opozitare, të cilat nuk morën pjesë në këtë proces.

“Këtë seancë plenare do ta vazhdojmë nesër në ora 10:00. Ftoj grupet parlamentare që nesër të jenë të pranishëm në ora 10:00” – tha Haxhiu më 27.04.2026.

Kandidate janë Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Në rundin e parë Rushiti mori 63 vota nga 64 deputetë sa ishin në sallë, kurse Hoxha asnjë.

Fillimin e votimit pa qenë mbi 80 deputetë në sallë, partitë opozitare e konsideruan “puç kushtetues.”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur sonte, më 27.04.2026, në seancën e Kuvendit është puç kushtetues.

Sipas tij, sonte ka ndodhur shkelja e Kushtetutës, është hyrë në proces të votimit në mënyrë kundërkushtetuese.

Hamza tha se kanë ftesë për seancën e nesërme.

“Kemi ftesë për nesër në ora 10:00 por ne konsiderojmë që nuk janë plotësuar kushtet që të kalohet në rundin e dytë sepse nuk kanë votuar 80 deputetë në rundin e parë”- tha Hamza.

Sipas tij, Kurti, prej 28 dhjetorit nuk ka pasur sinqeritet, as seriozitet që vendi të ketë kompletim të institucioneve.

“Unë nuk dëshiroj e nuk dua me besu që me prodhu situatë që vendi me shku në anarki. Prej 28 dhjetorit deri më sonte nuk ka pasur as sinqeritet e as seriozitet e vullnet që vendi me pasë kompletim të institucioneve. Ka pasë ngarendje qysh me i kapë institucionet e qysh mos me e respektu Kushtetutën e vendit. Kushtetuta është e qartë që duhet të jenë 80 deputetë në sallë e me votu”- u shpreh ai.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se LVV inicioi përmbysjen e rendit kushtetues të Kosovës. 

“Rast i paprecedent, jodemokratik, antikushtetues për shtetin tonë të ri” – tha ai.

Abdixhiku, ka prezantuar një dokument me 15 nënshkrime të deputetëve të LDK-së për kandidatin e kësaj partie për president të Kosovës.

Ai nuk tregoi nëse këto nënshkrime janë për Vjosa Osmanin.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, ka thënë se e filluan seancën për zgjedhjen e presidentit duke parë që nuk kishte iniciativë nga asnjë parti.

Ajo tha se asnjë nga deputetët nuk ka njoftuar për mungesë në seancë.

Në pyetjen se a konsiderojnë se e kanë shkelur Kushtetutën, Nagavci tha se “për saktësi kemi pasur kuorum për të filluar seancën e jashtëzakonshme, sepse seanca ftohet me 40 nënshkrime, ishin të pranishëm më shumë se 61 deputetë për të filluar seancën”.

Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, tha se ajo që ndodhi sonte në Kuvendin e Kosovës nuk është dashur të ndodhë.

Sipas tij, është goditje e madhe ndaj rendit kushtetues të Kosovës të niset seancë për zgjedhjen e presidentit pasi duhet të ishin 2/3 e deputetëve.

“Është tentim grusht shteti. Për AAK ky akt shënon një ndër shkeljet më të mëdha kushtetuese dhe një sulm më i madh ndaj Kushtetutës. Aleanca do të marrë hapat e nevojshëm që të parandalojë një veprim të tillë”- tha ai.

“Aleanca e ka përcjellë me kujdes këtë seancë dhe është sjellë konform rregullit demokratik. Kjo që ka ndodhë është puç e cenim i Kushtetutës, në këtë veprim antikushtetues nuk marrim pjesë”- ka thënë ai.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet president i Republikës së Kosovës.

Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Në rast se dështon zgjedhja e presidentit deri në mesnatë, Kosova përballet me zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Edhe në aktgjykimin e fundit për “vlerësim të kushtetutshmërisë për procedurën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës”, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se: Presidenti i Republikës së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi i Kosovës, në përputhje me procedurën e përcaktuar në nenin 86 të Kushtetutës.

Aktgjykimi ka përcaktuar se zgjedhja e presidentit zhvillohet në 3 (tri) raunde të votimit, ku në 2 (dy) raundet e para kërkohen votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, ndërsa në raundin e tretë kërkohet shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Në mënyrë që 2 (dy) raundet e para të jenë të vlefshme në procedurën për zgjedhjen e Presidentit, kërkohet që të paktën 2/3 (dy të tretat) e të gjithë deputetëve të jenë të pranishëm dhe të votojnë. Ndërsa për raundin e 3-të (tretë) kërkohet të paktën prania dhe votimi i shumicës të të gjithë deputetëve.

Seanca për zgjedhjen e presidentit – Lajm në zhvillim