Kurti viziton pikën kufitare që lidh Kamenicën e Medvegjën, kërkon nga Serbia zbatimin e Marrëveshjes së IBM

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vizituar pikën kufitare ndërmjet mes Kosovës dhe Serbisë, atë mes Kamenicës dhe Medvegjës.

Në një postim në Facebook, Kurti ka kujtuar marrëveshjen e Brukselit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit, duke thënë se ajo vazhdon të mos zbatohet nga Serbia.

“Në vendkalimin kufitar, Kapia (Porta) ndërmjet Komunës së Kamenicës dhe Medvegjës isha sot bashkë me kryetarin e komunës, Kadri Rahimaj. Aty na pritën oficerët e Policisë së Kosovës, Haki Leci dhe Fadil Imeri. Këta evokuan kujtimet kur u vendosën për herë të parë këtu te kufiri pa vendkalim më 16 dhjetor 2016”- ka shkruar Kurti.

Tutje kryeministri Kurti ka thënë se në anën tjetër të kufirit, Serbia refuzon ta ndërtojë kabinën e ngjashme policore për kalim zyrtar të qytetarëve.

“Në mes të rrugës ata kanë vendosur barrikadë me cunga. E, në të dy anët e kufirit është fshati i njëjtë Svircë. Ky kufi pa vendkalim i ndanë edhe anëtarët e të njëjtave familje që detyrohen të udhëtojnë mbi 15 km larg në Mutivodë për të kaluar në anën tjetër”- ka shkruar tutje ai.

Tutje në fund, Kurti ka theksuar se ‘kapia do zbatim, porta duhet të hapet’.

Marrëveshja për menaxhimin e Integruar të Kufirit e njohur më shkurtesën IBM është arritur më më 2 dhjetor 2011.

Marrëveshja parashihte krijimin e pikave të përbashkëta të kalimit në të gjashtë pikat kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë (Merdarë, Bërnjak, Mutivodë, Jarinjë, Dheu i Bardhë dhe Mucibabë), duke përdorur modelin e Bashkimit Evropian të IBM-it.