Takimi Kurti- Prattipati. Foto: ZKM.

Kurti takoi të ngarkuarën me punë në Ambasadën e SHBA-së, diskutuan për zgjedhjet

Kryeministri Albin Kurti ka takuar të enjten, më 27.02.2025, të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti dhe Prattipati gjatë takimit kanë diskutuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe përmbylljen e procesit zgjedhor.

Gjithashtu, sipas njoftimit, gjatë takimit u diskutua edhe për hapat rreth formimit të institucioneve të reja.

“Teksa presim përfundimin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultatit zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryeministri u shpreh se qeveria po vazhdon punën e saj të përditshme në përmbushjen e detyrave e përgjegjësive dhe shërbimin ndaj të gjithë qytetarëve, pa dallim”- thuhet në njoftim.

Po sipas njoftimit, kryeministri Kurti ka falënderuar Prattipatin për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndaj Kosovës.