Kryeministri Albin Kurti. Foto: ZKM.

Kurti refuzon ftesën e Kovaçevskit për samitin e radhës të "Ballkanit të Hapur"

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar ftesën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur, që pritet të mbahet në Ohër, më 7 dhe 8 qershor 2022.

Në një letër drejtuar homologut maqedonas, kryeministri Kurti thotë se Kosova është e angazhuar në Procesin e Berlinit që mbulon iniciativa rajonale, i cili u miratua nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në vitin 2020 dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

Kurti ka theksuar se të dyja vendet ndajnë vlera dhe aspirata të përbashkëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe se sipas tij kjo është arsyeja që ka ndërmarrë reforma që luftojnë korrupsionin dhe promovojnë sundimin e ligjit.

“Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërmarrë reforma që luftojnë korrupsionin, promovojnë sundimin e ligjit, avancojnë ekonomitë tona dhe rrisin mundësitë për të gjithë. Dhe pse të dyja vendet tona rreshtohen vazhdimisht me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe kundërshtimin e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, ku ne shpejt e dënuam dhe vendosëm sanksione kundër Federatës Ruse, pavarësisht vështirësive ekonomike”, thuhet në letrën e publikuar nga Qeveria e Kosovës.

Tutje, Kurti është shprehur se Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesat ruse dhe kineze në rajon.

“Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Kurti: “Ballkani i Hapur”, tendencë e Vuçiqit për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë e Kinës