Albin Kurti - Foto: ZKM

Kurti: "Ballkani i Hapur", tendencë e Vuçiqit për hapje të Ballkanit ndaj Rusisë e Kinës

Kryeministri vendit, Albin Kurti, ka komentuar sërish takimin e liderëve të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në Shkup, ku u riemërtua iniciativa e Novi Sadit (i ashtuquajturi Mini-Schengen) në “Ballkani i Hapur”.

Kryeministri Kurti ka pyetur se për çka do të jetë i hapur ky Ballkan?

Siç bëhet e ditur në komunikatën e dërguar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka thënë që kjo iniciativë është tendencë e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit për të hapur Ballkanin për Rusinë.

“Përderisa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq refuzon të ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, duket tendenca e tij që Ballkani të jetë i hapur për fuqitë nga Lindja, sidomos për Federatën Ruse, por edhe për Kinën, si dhe i hapur për autokraci, oligarkë e kriminelë lufte, në kundërshtim me vlerat evropiane të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, citohet të ketë thënë Kurti.

Këto komente, Kurti i ka bërë pas vizitës në ekspozitën e librave të vjetër dhe shtypit të kohës gjatë demonstratave të vitit ’81, në veçanti atyre që i referohen figurës së Ukshin Hotit.

Javën që lamë pas, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në panelin e diskutimit të Forumit Ekonomik në Shkup kanë shpalosur kushtet e marrëveshjes mes tre vendeve për rajon më të lirë në ekonomi dhe bashkëpunim mes qytetarëve.

Iniciativa në të ardhmen do të quhet “Open Balkan” që do të jetë ndryshim i emrit të deritanishëm “Mini-Shengeni”.

Kosova është zotuar se do të jetë pjesë e kësaj iniciative në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Uashington, mirëpo Qeveria Kurti 2 nuk ka marrë pjesë në takimin e javës së kaluar.

Në Kosovë kundërshtohet fort nisma “Open Balkan”