Kurti- qytetarëve: Respektoni masat ndaj COVID-19, të mos e humbim ndeshjen në 10 minutat e fundit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë thirrje që të respektohen masat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe rekomandimet e IKShPK-së për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Kurti ka thënë që pavarësisht se numri i të shëruarve është duke u rritur vazhdimisht, ende nuk është momenti për t’u relaksuar, duke kërkuar që të mos humbet ‘ndeshja në 10 minutat e fundit’

“Siç ka thënë një ekspert amerikan i pandemive para disa ditësh, Kosova është bërë një rrëfim suksesi në Evropë dhe në botë. Mirëpo, tani nuk është momenti për t’u relaksuar. Nuk është momenti për ta kthyer mbrapsht gjithë progresin e shënuar. Le të mos e humbim ndeshjen në 10 minutat e fundit. Kemi bërë një rrugë të gjatë dhe të vështirë për të arritur deri në këtë pikë. Jemi kaq afër fitores, saqë rikthimi i virusit në mesin tonë do të ishte edhe më zhgënjyes sesa vetë ardhja e tij”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij pavarësisht suksesit në menaxhim, beteja me COVID-19 ende nuk ka përfunduar, duke thënë që ende ka rrezik të infektimit nga ky virus.

“Sigurisht se kemi qenë të suksesshëm deri tani në luftimin e parandalimin e COVID-19, por askush nuk ka të drejtë ta shpallë të përfunduar këtë betejë. Ata që e bëjnë një gjë të tillë do të na pamundësojnë fitoren e shumëpritur. Le të mos harrojmë që ende nuk e posedojmë as antiviralin e as vaksinën për këtë virus. Për të gjithë ne, ai mbetet ende i panjohur. Edhe pse po e mundim këtë armik të padukshëm (kemi gati tre herë e gjysmë më shumë të shëruar sesa raste aktive), kjo nuk garanton pamundësimin e infektimeve të reja”, ka shkruar tutje Kurti.

Aktualisht në vend janë 870 raste të konfirmuara më COVID-19, nga ta janë shëruar 652, kanë vdekur 28, ndërsa 189 raste vazhdojnë të jenë aktive.

Të dashur qytetarë,Që nga data 4 maj 2020 kemi filluar me masat e reja që janë paraparë gjatë fazës së parë të hapjes…

Publiée par Albin Kurti sur Dimanche 10 mai 2020