Kurti premton qeveri të fokusuar në arsim, analistët kritikojnë programin

Ekspertë të fushës së arsimit po kërkojnë plane konkrete të arsimit nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti. Ata kanë komentuar disa pika të programit të qeverisë të sapoformuar në lidhje me arsimin e të gjitha niveleve.

Programi qeverisës i kryeministrit Albin Kurti, u prezantua javën e kaluar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e kaluar në foltoren e Kuvendit, ka prezantuar programin e Qeverisë së tij.

Në mesin e premtimeve për fusha të ndryshme, ai premtoi se Qeveria Kurti do të jetë ”qeveri e arsimit për arsimin”.

Kurti tha se do të sigurojë cilësi në shkolla e fakultete, në mënyrë që ato të jenë në përputhje të programeve me kërkesat e tregut. Premtimi i parë i Kurtit ishte se ministria e Arsimit do të ri-organizohet, në mënyrë që sipas tij të rritet funksionimi dhe efikasiteti.

Ai po ashtu premtoi edhe pavarësi të plotë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, pak ditë pasi që ish-kryeministri, Ramush Haradinaj kishte nisur një letër në adresë të kryetarit të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë, Gazmend Luboteni dhe ish-u.d drejtorit të AKA-së, Avni Gashi për trajtimin e kërkesave të kolegjeve private.

“Ministria jonë e arsimit do të ri-organizohet për të rritur funksionimin dhe efikasitetin. Do të investohet në modernizimin e infrastrukturës në arsimin e lartë. Do të investohet në kabinete, laboratorë e biblioteka. Do të bëhet vlerësim i plotë i kurrikulave arsimore për të mundësuar mësim-nxënie dhe mësimdhënie më të lehtë dhe më efikase”, ka shtuar Kurti.

Ai dha edhe një premtim se Qeveria e tij që është krijuar bashkë me LDK-në do të fuqizojnë Institutin Pedagogjik në krijimin e kapaciteteve në zhvillimin dhe mbikëqyrjen e vlerësimin e rregullt të zbatimit të kurrikulave.

Ai synon që 50 për qind e fëmijëve të Kosovës të jenë pjesë e arsimit parashkollor.

“Do të ndihmohen komunat në planifikimin dhe ndërtimin e rrjetit të institucioneve parashkollore që të rrisim pjesëmarrjen në arsim parashkollor deri në 50% deri në vitin 2022. Do të rrisim vendimmarrjen në shkolla me përfshirje më të madhe të komunitetit dhe me rol më të fuqishëm të drejtorit të shkollës”, ka thënë Kurti.

KALLXO.com në vitin 2018, kishte raportuar se në vetëm 10 % e fëmijëve të moshës 1-5 vjeçare në Kosovë vijojnë mësim në institucionet parashkollore.

Kryeministri Kurti theksoi edhe një çështje që ka vite që ka mbetur peng në Kuvendin e Kosovës, Ligjin për Arsimin e Lartë. Për miratimin e këtij ligji, nevojiten votat e 2/3 të deputetëve, përfshirë edhe komunitetet, por viteve të fundit Lista Serbe ka qenë arsyeja pse ky ligj nuk është ndryshuar. Por, Kurti megjithatë tha se ky ligj do të rishikohet.

Sa i përket Shkencës, kryeministri më i ri dha vetëm tre premtime.

“Do të ri-themelohet Këshilli Kombëtar i Shkencës si dhe do të zhvillohet dhe fuqizohet Fondi Kombëtar i Shkencës për të mbështetur projekte shkencore mbi baza të konkurrencës dhe prioriteteve kombëtare që i ka shteti ynë”, tha ai.

Kurti tha se do ta zhvilljnë edhe “Fondin e Ekselencës” i cili do të mbështetëse kuadrot premtuese me orientim në shkenca, në veçanti gratë që zgjedhin të studiojnë shkencat teknike e natyrore, brenda e jashtë vendit.

Ekspertët: Plan-programi i Qeverisë Kurti për arsimin, jo konkret

Ky plan-program, sipas njohësve të kësaj fushe duhet të konkretizohet edhe më shumë, sepse është shumë sipërfaqësor.

Tutje ekspertët thonë se plani i paraqitur është kryesisht i ndërlidhur me atë se çfarë është premtuar nga LDK për arsimin gjatë fushatës zgjedhore.

Dukagjin Pupovci, njohës i fushës së arsimit nga organizata “Qendra për Arsim e Kosovës (KEC)”, tha se kjo është njëra nga gjërat e para që duhet të bëhet, para se të fillojë zbatimi.

“Shumica e prioriteteve programore janë nga dokumentet ekzistuese strategjike, pra mbështeten në një analizë tanimë të njohur të problemeve rreth së cilës ekziston një konsensus i gjerë”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Pupovci thekson se ka disa gjëra që nuk janë në 10 pikat e programit, por që mund të dalin në pah pas zbërthimit të mëtutjeshëm të programit.

“ Për shembull, çfarë do të bëj Qeveria me universitetet publike të cilat nuk po ja dalin t’i plotësojnë kërkesat për akreditim; si do të adresohet problemi i shkollave me numër të vogël të nxënësve ose paralele të kombinuara; si do të përmirësohen shkathtësitë e leximit në kushtet kur 79% të fëmijëve nuk e plotësojnë standardin minimal në këtë fushë, etj”, ka shtuar ai.

Propozimi i Qeverisë Kurti për rishikimin e korrikulave, njohësi i arsimit thotë se është i duhur.

“Në program shkruan se duhet të vlerësohen kurrikulat, gjë që paraqet një hap të arsyeshëm, duke marrë parasysh faktin se gjatë këtyre tre viteve të zbatimit të Kurrikulës së re nuk ka pasur ndonjë përcjellje të gjendjes në shkolla, përveç një studimi të realizuar nga Instituti Pedagogjik. Mendoj se përveç korrigjimeve të domosdoshme në kurrikula, gjatë këtij mandati qeverisës duhet të ofrohet më shumë mbështetje profesionale për shkollat që të zbatohet kurrikula e re, pasi kjo paraqet një sfidë të vërtetë”, ka thënë më tej Pupovci për KALLXO.com.

Se plan programi i Qeverisë Kurti për Arsimit nuk është edhe aq konkret, e thotë edhe eksperti i arsimit nga Instituti ‘EdGuard’, Rinor Qehaja.

“Plan programi për arsimin është mishërim i asaj çfarë tashmë është paraqitur gjate fushatës elektorale, kryesisht i ndërlidhur me atë se çfarë është premtuar nga LDK për arsimin. Përkundër që objektivat e parashtruara janë shumë sipërfaqësore – problemet në arsim janë më thelbësore se ato të paraqitura – uroj shumë që po të njëjtët të mirren me prioritet dhe seriozitet”, ka deklaruar Qehaja për KALLXO.com.

Ai për dallim nga eksperti Pupovci, thotë se premtimi për rishikimin e kurrikulave nuk është i duhur, pasi sipas tij, problem është zbatimi i saj dhe jo kurrikula.

“Rishikimi i kurrikulave, nuk mund të ndodhë para rishikimit të zbatimit të kurrikulave, pra, pikënisje nuk është dokumenti i kurrikulës por problemet në zbatim të saj. Edhe nëse, kemi rishikim të kurrikulave, suksesi i tyre varet nga zbatimi, andaj përkrahja duhet të kthehet tek mësimdhënësit për zbatim, dhe jo në dokument vetëm. Përtej kësaj, nuk besoj që dokumenti i kurrikulës është jo i mire, por vlerësoj që kurrikula mungon në rolin e saj të udhëzuesit për mësimdhënës”, ka thënë Qehaja më tëj.

Qehaja thotë se propozimi për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në arsimin parafillor ka implikime të jashtëzakonshme buxhetore.

“ Ky vit buxhetor tashmë iku, andaj projeksionet eventuale për ndërtim të institucioneve parashkollore mund të priten vetëm për vitet në vijim. Është shumë me rëndësi që kjo rritje në përfshirje të ketë parasysh investime në zona tjera përtej kryeqytetit, në rajone të neglizhuara ekonomike, ku ndikimi socio ekonomik do të ishte më i madh. Rikujtoj po ashtu në domosdoshmërinë e investimeve edhe në kopshtet dhe çerdhet aktuale publike, ku shumica prej tyre janë të vjetërsuara, hiq të përshtatshme për fëmijë”, ka theksuar ai.

“Pra, për shkak të mangësive të shumta në sistem, dhe nder lidhshmërisë mes tyre, përqendrimi në vetëm pikat e parashtruara është i gabueshëm, bie fjala, nuk mund të kemi rishikim të kurrikulave duke anashkaluar tekstet shkollore, ose vlerësimin e performances. Nuk pres që gjithçka të korrigjohet në një mandat por shpresoj që shumëçka të analizohet”, ka thënë në fund Qehaja për KALLXO.com.

Kurti është zgjedhur kryeministër  nga Kuvendi i Kosovës. Në kabinetin e tij, ai do të këtë dy zëvendëskryeministra dhe 15 ministra.

Ministre të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kjo qeveri ka vendosur një ekonomiste, Hykmete Bajrami që vjen nga LDK, e cila e mori detyrën javën e kaluar.

Ajo ka paralajmëruar rishqyrtim të të gjitha vendimeve që janë marrë në këtë sektor nga qeveria Haradinaj.

Kabineti qeveritar i Albin Kurtit

www.kallxo.com