Shtyhet Projektligji për Arsimin e Lartë për Shkak të Vërejtjeve të 'Listës Serbe'

Qeveria e Kosovës e ka shtyrë për mbledhjen e ardhshme Projektligjin për Arsimin  e Lartë në Republikën e Kosovës. Këtë gjë e kërkuan ministrat e listës serbe ngase ata nuk u pajtuan me projektligjin aktual dhe kërkuan ndryshime në projektligj për shkak të Universitetit të Mitrovicës së veriut.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se nuk ka arsye të madhe për shtyrjen e ligjit, pasi sipas tij, sa i përket Universitetit të Mitrovicës së veriut është diskutuar edhe me ndërkombëtarët dhe është gjetur një zgjidhje e mirë për integrimin e këtij universiteti.

“Ligji për Arsimin e Lartë ka qenë në diskutim të hapur publik dhe është shpërndarë me kohë në Qeveri. Unë do të kërkoja mirëkuptimin e kolegut që ligjin ta kalojmë mandej kemi dy lexime të parlamentit dhe kemi kohë brenda Grupeve Parlamentare për t’i marrë të gjitha sugjerimet dhe vërejtjet”, tha ministri i Arsimit, Arsim Bajrami.

“Duke qenë se ligji ka kaluar në ekspertiza ndërkombëtare dhe duke qenë që është parakusht për lejimin e kredisë prej Bankës Botërore me 23 shtator të këtij viti do të kërkoja  mirëkuptimin që sot ta kalojmë ligjin”, kërkoi më tej ministri Bajrami.

Megjithatë Qeveria vendosi të kundërtën e kërkesës së ministrit.