Foto: ZKM

Kurti përkujton të vrarët në masakrat në Burim dhe në Pastasel

Në 25- vjetorin e masakrës në Burim të Malishevës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe në përkujtim të 42 civilëve të vrarë më 31.03.1999.

Ai ka thënë se varret e tyre janë historia e Kosovës.

“Te “Vrella e Mëhillit” në fshatin Burim të Malishevës janë ekzektuar 42 shqiptarë, vetëm pse ishin shqiptarë dhe dëshironin të jetojnë të lirë në tokën e tyre stërgjyshore. Prej 10 vjeҫ deri në 90 vjeҫ. Siҫ thuhet edhe në lapidarin që është ngritur këtu e ju kushtohet atyre, varret e tyre janë historia jonë”- u shpreh Kurti.

Ai ka thënë se këto homazhe po bëhen për t’ia përkujtuar edhe vetes, edhe popullit, si qytetarë e si zyrtarë të institucioneve se sa i lartë ishte ҫmimi për lirinë dhe se ku ndodhen rrënjët e shtetit që e gëzojmë.

Po ashtu, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Kurti paraditen e sotme mori pjesë edhe në tubimin përkujtimor në shënim të 25-vjetorit të masakrës në Pastasel, në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në Pastasel të Rahovecit.

“Çdo vit, dita e mbrame e muajit mars, na rikthen sërish në Rahovec dhe konkretisht këtu në fshatin Pastasel, për ta përkujtuar dhe denoncuar krimin që Serbia e kreu këtu më 31 mars 1999, duke vrarë 106 civilë të paarmatosur shqiptarë” – citohet të ketë thënë Kurti sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit..

“Këtë vit po bëhen 25 vite prej kur vendi ynë është çliruar nga Serbia. Por derisa të arrijmë te 25-vjetori i çlirimit që është në mes të qershorit, tërë stina e pranverës është e mbushur me 25-vjetor të masakrave që shteti i Serbisë i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë”- tha Kurti, duke kujtuar masakrat dhe vrasjet e civilëve shqiptarë gjithandej Kosovës nga forcat serbe të cilat kryheshin të urdhëruara dhe koordinuara nga institucionet më të larta të sigurisë dhe ato politike të shtetit të Serbisë.

Duke i përmendur dëshmitë e dëshmitarët, Kurti theksoi se çfarë duhet të ndodhë tash është që këto dëshmi prokuroria e Kosovës t’i kthejë në aktakuza.