
Kurti paralajmëron masa pas rritjes së çmimit të bukës në Gjilan
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur lidhur me ngritjen e çmimit të bukës në Gjilan nga 50 centë në 60 centë.
Ai ka thënë se Qeveria është duke pritur një vlerësim nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësis dhe Tregtisë për të marrë masa adekuate.
“Ne duhet të shohim vlerësimin e MINT dhe të marrim masa adekuate si Qeveri dhe të mbrojmë konsumatorin nga ata që mund ta keqpërdorin situatën në ketë kohë krize”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se lidhur me këtë çështje MINT është duke përgatitur një përgjigje.
“Ne kemi marrë më shumë shqetësim këto informacione për çmime të rritura të bukës që është ushqimi më elementar për qytetarët. Ministria e Industrisë, Ndërmarresisë dhe Tregtisë është duke përgatitur një përgjigje. Kemi vënë tavanin për çmimin e naftës, duhet të shohim se çfarë duhet të bëjmë që të mos shfrytëzohen dhe dëmtohen konsumatorët tanë”, ka thënë Kurti.
Gjatë ditës së djeshme, në Gjilan, në disa furra ka pasur ngritje të çmimit të bukës deri në 60 centë.
Shoqata e Mullisëve në Kosovë ka thënë se aktualisht në Kosovë nuk ka rritje të çmimit të miellit.
Në lidhje me këtë, kryetari i Shoqatës së Mullisëve, Bashkim Zejnullahu ka thënë se furrat individualisht e rrisin çmimin e bukës.
“Nuk ka rritje të çmimit të miellit, në të kundërtën bile ka ulje të çmimit. Nuk presim të ketë diçka që duhet me u shqetësu, e tash që furrat individualisht kanë rritur çmimet është diçka tjetër. Unë nuk mundem me folë për bukën, por vetëm për miellin”, ka thënë Zejnullahu.
Në ndërkohë, Inspektorati i Tregut ka thënë se do të hetohet rritja e çmimit të bukës në Gjilan.
Kështu ka njoftuar Lebibe Haliti, zëvendëskryeinspektorja e Inspektoratit të Tregut.
“Këtë informacion do të dërgojmë tek inspektorët e tregut në Gjilan dhe do të veprojnë sipas ligjeve në fuqi”, tha Haliti për KALLXO.com
Shoqata e Mullisëve reagon pas çmimi i bukës në Gjilan u rrit në 60 centë