Foto: ZKM

Kurti: Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar se Komisioni Evropian dje para Parlamentit Evropian ka prezantuar një listë të masave kundër Kosovës.

Sipas Kurtit, Bashkimi Evropian tek Kosova e gjen partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe më të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate.

“Komisioni Evropian dje ka prezantuar para Parlamentit Evropian një listë të masave kundër Kosovës. BE te Kosova e gjen partnerin dhe aleatin e saj më të sinqertë dhe më të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane, parimeve demokratike dhe interesave afatgjate, Kosova të tillë e ka qeverinë, popullin. Në raste kemi qenë kritikë nga Bashkimi evropian por as cinikë as të hidhëruar. Nuk jemi as sot”- ka deklaruar Kurti.

“Kur në dhjetor të vitit të kaluar dorëzuam aplikimin tonë për anëtarësim atë e bëmë duke besuar se meritojmë që në një të ardhme të jemi pjesë e unionit sepse besojmë në këtë union. Raporti i fundit për vendin tonë i hartuar nga po ky Komisionin e përshkruan Kosovën në dritën më pozitive”- shtoi ai.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se pavarësisht zhvillimeve, e vlerëson përkrahjen dhe ndihmën e BE-së teksa shtoi se “mezi presim pyetësorin për anëtarësim sepse Evropa është kontinenti ynë dhe BE është fati ynë”.

“Pavarësisht zhvillimeve rrethanore ne vlerësojmë përkrahjen dhe ndihmën e Bashkimit Evropian për gjatë gjithë këtyre viteve dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim sepse Evropa është kontinenti ynë dhe BE është fati ynë”- është shprehur Kurti.

Bashkimi Evropian gjatë kësaj jave ka paralajmëruar se do të komunikojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat blloku i ka përgatitur për shkak të mosndërmarrjes së hapave që janë kërkuar për të ulur tensionet në veri të shtetit, tha drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman.

Ai, së bashku me të dërguarin e bllokut evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë marrë pjesë në debatin në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

Koopman tha se po përgatiten një sërë masash ndaj Kosovës. Ai përmendi pezullimin e punës të të gjitha grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), pezullimin e financimit të programeve të BE-së, mosmiratimin e projekteve nga Fondi për investim në Ballkanin Perëndimor si dhe pezullimin e takimeve në nivele politike.

BE paralajmëron shpalljen e masave ndëshkuese kundër Kosovës