Kurti: Kërkoj që të kërkohet prej Vuciqit - dorëzimi i grupit terrorist paramilitar i Radoiçiqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga Bashkimi Europian kërkon që të kërkojë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “dorëzimi i grupit terrorist, paramilitar të Milan Radoiçiqit”.

Kurti tha se gjithashtu kërkon të mos shkelet fryma e marrëveshjeve të dakorduara.

“Unë nuk e  di se çka kërkohet nga presidenti Vuçiq në takimet që zhvillohen me të por, ajo çfarë unë kërkoj, që të kërkohet prej tij sepse ne nuk kemi juridiksion në Serbi, është dorëzimi i grupit terrorist, paramilitar  të Millan Radoiçiqit dhe gjithashtu që të mos shkelet as germa e as fryma e marrëveshjeve të dakorduara”- deklaroi Kurti.

Më 26 tetor 2023, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar veçmas me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, zëvendëspresidentin e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Mirosllav Lajcak.

Pas takimit kryeministri Kurti tha se ka pranuar nënshkrimin e marrëveshjeve të dakorduara, por sipas tij, Serbia nuk ka qenë e gatshme.