Pritoret e renovuara në Klinikën e Radiologjisë në QKUK

Kurti e Vitia përurojnë renovimet në Radiologji të QKUK-së

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia kanë përuruar renovimet në koridorin e Klinikës së Radiologjisë dhe instalimin e pajisjes SPECT/CT në Mjekësinë Nukleare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Investimi në Radiologji është në kuadër të renovimeve që po bëhen edhe në Biokimi Mjekësore dhe në Kirurgji, që kapin vlerën e mbi 393 mijë eurove. Kurti tha se tashmë janë kryer mbi 90 për qind të punimeve.

“Kemi bërë adaptimin e koridoreve dhe pritoreve. Kemi trajtuar muret, plafonin, dyert, parmakët e shkallëve, ndriçimin, ventilimin, klimatizimin, prizat dhe instalimet elektrike dhe 7 sportele të reja”– tha kryeministri, i cili shtoi se kjo ndikon në trajtim më dinjitoz për pacientët, e punë më të mirë për mjekët.

Ministri Vitia njoftoi se është instaluar edhe sistemi digjital për menaxhimin e radhës së pritjes. Përmes këtij sistemi, pacientët marrin numrin e printuar për të pritur në rend që të marrin shërbimet.

Sistemi i digjitalizuar i menaxhimit të radhës në Radiologji
Pajisje për vlerësimin e shërbimeve në Radiologji
Pritoret e renovuara në Klinikën e Radiologjisë

Kurti pa nga afër edhe aparaturën SPECT/CT e cila ka kushtuar 850 mijë euro dhe ishte promovuar nga ministri Vitia më 27.11.2024.

“Kjo pajisje, e vetmja në rajonin e Ballkanit, ndihmon në diagnostikimin më të saktë. Janë kryer dhe trajnime për stafin” – shtoi kryeministri.

Kjo pajisje është e ngjashme me një tjetër që ishte instaluar në prill të këtij viti. Siç shpjegoi drejtori i Mjekësisë Nukleare, Fakir Spahiu, dallimi qëndron se kjo ka tri kamera, përderisa e kaluara ka dy. Megjithatë pajisja e parë ka edhe pjesën PET, e cila ka rezolucion edhe më të avancuar.

Kryeministri Albin Kurti duke u informuar nga mjekët për pajisjen e re në Mjekësi Nukleare
Pajisja SPECT/CT Any-scan Trio në Mjekësi Nukleare. Foto: ShSKUK

Drejtori Spahiu tha për KALLXO.com se këto dy pajisje janë shumë të avancuar dhe përdoren për diagnostikimin e shumë sëmundjeve, kryesisht atë të kancerit.

Pajisja e arritur në prill, ka kushtuar 1.5 milion euro dhe ishte donacion i shoqatës “Alwaleed Philantrophies” nga Arabia Saudite përmes organizatës Jahjaga Foundantion të ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Presidentes Vjosa Osmani.