Kryetari i Malishevës: 2 mjekë janë në vetizolim (VIDEO)

Në komunën e Malishevës gjatë ditës së djeshme është konfirmuar rasti i parë me coronavirus.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se përpos rastit të konfirmuar në Bubavec nuk ka persona të tjerë të prekur nga ky virus në Malishevë.

“Përpos rastit të Bubavecit, raste të tjera nuk kemi, jemi në menaxhim të situatës. Ne jemi duke e zbatuar vendimin e Qeverisë, Malisheva është në karantinë. Malisheva ka një numër të madh të qytetarëve në Itali, një numër i madh i qytetarëve nga Italia kanë ardhë në Malishevë. Jemi 24 orë në detyrë, prej fillimit e kemi bo shtabin, i kemi thirrë kryetarët e fshatrave që me na njoftu për çdo gjë”, ka thënë Begaj për KALLXO.com.

Ai ka treguar që Malisheva është futur në karantinë sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës. “3 ose 4 familje dhe dy mjekë janë vetizoluar pasi kanë pasur kontakt me personin e prekur me coronavirus”, tha ai.

“Mjekët janë në izolim se kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me pacientin e prekur”, ka thënë Begaj.

Sa i përket personave që kanë pasur kontakt me të prekurin me coronavirus, Begaj ka thënë se disa prej analizave kanë dalë negative.

Begaj ka thënë se Komuna e Malishevës nuk është shumë e përgatitur për këtë situatë dhe nuk ka dorëza, maska dhe dezinfektues të mjaftueshëm.

Intervistë:Ragip Begaj

Intervistë: Ragip Begaj

Publiée par Kallxo.com sur Dimanche 15 mars 2020

“Edhe komuna jonë, nuk jemi shumë të përgatitur për këto situata, kemi dorëza dhe maska por jo të mjaftueshme. Çka kemi dorëza dhe maska ia kemi dhënë QKMF-së dhe Policisë dhe do të përpiqemi t’i furnizojmë edhe administratën komunale. Nuk kemi dezinfnktues sa duhet”, ka shtuar Begaj.

Ai ka thënë se kanë marrë premtim nga Qeveria se të martën do të furnizohen me këto pajisje.

Më tej ai ka thënë se do të mundohen t’i reduktojnë numrin e punëtorëve në Komunë dhe aty të shkojnë vetëm ata që janë të nevojshëm.

Begaj ka folur edhe për numrin e stafit mjekësor. Ai ka thënë se edhe në situatë normale Komuna e Malishevës nuk ka staf të mjaftueshëm mjekësor.

“Në nivel komunal nuk kemi mjaftueshëm staf mjekësor, komuna me 70 mijë banorë i kemi 25 mjekë”, ka thënë ai.

Gjithashtu, kryetari i Malishevës tha se marketet dhe barnatoret janë të hapura kurse bizneset e tjera të mbyllura. Begaj ka përmendur se te mullinjtë po krijohet radhë për furnizim me miell.

“Te mullinjtë janë pa një numër më i madh i qytetarëve duke pritur, marketet janë të hapura, barnatoret janë të hapura kurse të tjerat janë të mbyllura”, ka shtuar ai.

Kryetari Begaj ka pasur edhe një mesazh për qytetarët e Malishevës.

“Ta ndihmojmë veten, ta ndihmojmë Malishevën, nëse qytetarët kanë simptoma të lajmërohen me kohë që të na ndihmojnë që ta mposhtim këtë të ligë”, ka thënë ai.

Po ashtu ai ka dhënë edhe adresat se ku mund të drejtohen qytetarët e Malishevës.

“Drejtori i Qendrës së Mjekësisë Familjare, Drejtori i Shëndetësisë, edhe mua mund të më drejtohen, jemi në shërbim 24 orë”, ka thënë ai.

Në Kosovë janë konfirmuar 5 raste me Coronavirus, tri raste në Viti, një në Malishevë dhe një në Klinë. Personat e parë të prekur kishin ardhur nga Italia në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e hyrje daljeve nga tri komunat ku janë shënuar rastet e para me coronavirus ndërsa janë izoluar të gjithë personat të cilët kanë pasur kontakt me personat e prekur me coronavirus.

Si masa parandaluese, Qeveria e Kosovës ka mbyllur të gjitha restorantet, pubet, qendrat tregtare, kafiteritë, ka pezulluar aktivitetet kulturore, ka ndaluar transportit tokësor dhe ndërkombëtar për të gjithë personat që hyjnë në Kosovë, ka ndaluar transportin ndër-urban, etj.

Gjatë ditës së djeshme, BIK-u ka ndaluar faljen e namazit ditor dhe xhumasë në xhami.