Breshri në Han të Elezit, Foto: KALLXO.com

Kryetari i Hanit të Elezit tregon për pasojat nga breshri

Pasditën e së martës, 21.05.2024, komuna e Hanit të Elezit është goditur nga një mot i lig, me breshër të madh e reshje shiu.

Sipas zyrtarëve komunalë, breshri ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe bujqësore.

I kontaktuar nga KALLXO.com, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka thënë se përveç dëmeve materiale fatmirësisht dëme në njerëz nuk ka pasur.

“Po, sot pasdite komuna jonë është goditur nga një breshër i madh, i cili ka shkaktuar dëme të mëdha në gjëra materiale, më së shumti dëme ka shkaktuar tek makinat, të cilave ua ka thyer xhamat, ka shkaktuar dëme edhe në bujqësi, disa serra i ka dëmtuar shumë. Fatmirësisht dëme në njerëz nuk kemi” – tha për KALLXO.com kryetari i Komunës së Hanit të Elezit.

Pjesë të ndryshme të vendit janë përballur me mot të lig, kryesisht me reshje të mëdha dhe të shpejta të shiut, por edhe me erëra të forta.

Nga erërat e forta, sipas drejtorit të Emergjencave të Komunës së Prishtinës, Lulzim Fushtica, janë rrëzuar skelet afër një ndërtese banimi, me ç’rast janë dëmtuar disa vetura.